
Vëllezërit binjakë që paditën themeluesin e “Facebook”-ut për vjedhjen e idesë së rrjetit social janë bërë miliarderë pasi paratë e fituara nga Zuckerberg i investuan te monedha elektronike, Bitcoin.
Kjo e fundit e ka kaluar vlerën e 11 700 dollarëve të shtunën e kaluar.
Sipas britanikes “Telegraph”, Cameron dhe Tyler Winklevoss blenë 1 % të të gjithë Bitcoin-it për 11 milionë dollarë në vitin 2013.
Që prej atëherë, kjo shumë është rritur 10 000 %, çka i ka bërë binjakët miliarderët e parë të monedhës elektronike.
Dy vëllezërit Winklevoss u bënë të njohur në vitin 2006, pasi nisën procedurat ligjore ndaj Mark Zuckerberg-ut, të cilin e akuzuan se u kishte vjedhur idenë për platformën sociale që u bë e njohur në të gjithë botën.
Në vitin 2009, ata morën nga “Facebook”-u një shumë prej 65 milionë dollarësh.
Binjakët Winklevoss i përdorën një pjesë të parave për të investuar në Bitcoin. Në tetor 2015, ata lançuan platformën “Gemini”, një projekt për këmbimin e monedhës elektronike, që prestigjiozja “Financial Times” e ka cilësuar si “i pari këmbim valuator i monedhës elektronike i licencuar dhe i rregulluar me ligj në botën e qytetëruar”.
“Ne dëshironim të ndërtonim një bursë të këmbimit valuator të ngjashme me Nasdaq ose NYSE për monedhën elektronike”, i ka thënë Tyler revistës “Financial Times”.
“Menduam për diçka me të cilën të ndiheshin mirë si Wall Street-i, edhe Main Street-i”, ka thënë ai.
Dy binjakët e kanë cilësuar monedhën elektronike si “më e mirë se ari”.
Bitcoin u prezantua për herë të parë në vitin 2009 dhe që atëherë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në vlerë, sidomos gjatë këtij viti.
Nëse më 1 janar të këtij viti, ajo shitej për 1 mijë dollarë, javën e kaluar vlera e saj ishte pothuaj 12 herë më e madhe. / RT /



