Emisioni "Xhadat" trajtoi problemin e familjes Grëmbi në njwsinë administrative Zharrëz. Nga viti 2012, kjo familje jeton në një banesë të shkatërruar, e cila sipas tyre është dëmtuar nga shpërthimet e kompanisë naftënxjerrëse Bankers Petroleum, që operon në zonën e Patos-Marinzës.
"Jetojmë mes minjve, nuk është jetë kjo", tregon e zonja e shtëpisë, e cila i ka mbuluar të çarat e mureve me rroba.
Pas dëmeve nga shpërthimet e kompanisë Bankers, familja u vlerësua nga një komision qeveritar me dëmshpërblim në vlerën 3 milion lekë, të cilin sipas institucioneve e kanë paguar gjysmën Bashkia Patos dhe gjysmën kompania Bankers.
Ndonëse dëmtimet në familjen Grëmbi kanë nisur 10 vjet më parë, Bashkia e Patosit ka vendosur ta fus këtë banesë në rikonstruksion për vitin 2023.
"Xhadat" u interesua pranë Bashkisë për të mësuar më shumë për këtë projekt. Drejtori i shërbimit të projekteve tha se janë përzgjedhur 20 familje në nevojë në gjithë Bashkinë për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara ose të amortizuara.
Në komunikim me gazetarët përfaqësuesit e Bashkisë së Patosit, deklaruan se projekti nuk lidhet me dëmet e Bankers Petroleum.
Sipas tyre fondi për rikonstruksionin e shtëpive ishte llogaritur në bazë të frymëve dhe jo të dëmeve në banesa.
Më pas "Xhadat" u interesuan edhe tek Njësia administrative Zharrëz. Specialisti i shërbimit social, Gramoz Çepele, tha se dëmet për banesën e familjes Grëmbi kanë ardhur nga shpërthimet e Bankers Petroleum. Po ashtu, ai pranoi me kamera të hapur se qeveria po paguan për dëmet që ka shkaktuar kompania kandeze. Sipas tij për banesën e familjes Grëmbi nuk është bërë vlerësim real, pasi ajo duhet të ishte shpallur e pabanueshme.



