Policia e Tiranës ka paralajmëruar incidente në protestën e opozitës që do të zhvillohet nesër. Burime policore bëjnë të ditur se gjatë protestës së opozitës ditën e martë mund të qëllohet me gurë dhe vezë në drejtim të Kryeministrisë dhe forvcave policore.
Nga ana e saj, policia ka marrë masat për protestën duke angazhuar një numër të madh forcash. Kordoni i parë i ruajtjes së sigurisë do të jetë nga policet femra. Një mënyrë e zgjedhur prej kohësh kjo nga Ministria e Brendshme për të zbutur sa më shumë përplasjet fizike midis protestuesve dhe policisë.
Ndërkohë që në gatishmëri janë edhe të gjitha forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Disa dhjetëra efektivë të komisariateve të Tiranës do të jenë në segmentin sheshi Skëndërbej, bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe sheshin Nënë Tereza.
Burimet policore kanë deklaruar se, pavarësisht informacioneve të marra kanë çdo gjë nën kontroll për të siguruar marshimin-protestë të opozitës gjatë së martës në bulevardin kryesor, i cili është parashikuar të qëndrojë i mbyllur nga ora 11:00 deri në 06:00.
Në kuadër të këtyre masave, policia e Tiranës njoftoi kufizimin e pjesshëm të qarkullimit të automjeteve në bulevardin Zogu i Parë, në rrugën e Kavajës, atë të Elbasanit dhe bulevardin Bajram Curri.
Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se, ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve, nga sheshi Skenderbej, përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, deri në sheshin Nënë Tereza, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.



