Analisti Pano Soko duke folur në Mcn Live tha se ftesa për Altin Dumanin në SHBA ishte një mesazh politik, për të thënë që Amerika mbështet ende SPAK-un dhe qëndron pas këtij institucioni.
“Ftesa të tilla kanë mesazhin politik brenda. Elementi Teknik që është diskutuar aty, fare mirë mund të dërgohej edhe me email, ka një zyrë të veçantë OPDAT-i që komunikon me SPAK-un. Vet ftesa është mesazhi. S’ka të bëjë fare çfarë është thënë. Fakti që e ftojnë në DASH është mesazhi. Ata thonë që SPAK-u është një institucion i përkrahur nga ne. Shoh mesazhin që vjen përmes aktit të ftesës, për të treguar qe je akoma nën domenin e ndikimit amerikan. Ky është mesazh i qartë që ‘ky është i joni’. Ftesat bëhen gjithmonë për të dhënë mesazhin politik. Kanë dashur të japin mesazhin që SHBA ka investuar për SPAK-ut dhe janë mbrapa SPAK-ut edhe sot e kësaj dite”.
I pyetur mbi ndryshimet e Kodit të ri Penal, Soko u shpreh:
“Ndryshimet e Kodit Penal i shoh si vijueshmëri të deklaratave të Ramës për reformimin e drejtësisë. Rama s’po bën as më pak as më shumë se ajo që ka thënë. Kur ne thoshim që Rama do ta tredhë SPAK-un, ta lejë si institucion që ha bukën e vet, pa fuqi. Ky është misioni i Ramës dhe këtë e ka bërë të qartë. Si bëhej kjo? Duke i hequr kompetencat për çështjet që atakojnë zyrtarët e lartë. Nisur nga ky qëllim kompozoi këtë Kod të ri dhe e veshi me disa ornamente folklorike. Qëllimi ka qenë zbutja penale për abuzimin me detyrën dhe shpërdorimin e detyrës, duke ia hequr këtë kompetencë SPAK-ut. Urgjenca, sepse sa më shpejtë aq më mirë”.
Soko tha se SPAK-u është frika e vetme e Ramës dhe jo çfarë ndodh me drejtësinë e të tjerëve.
“Besoj që vizita e Dumanit të ketë qenë një mesazh për të frenuar revanshin e politikës mbi drejtësinë”, theksoi ai.



