
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Gazmend Oketa deklaroi përmes një lidhjeje skype në MCN Live se protestat e opozitës janë të shumëpritura nga opinioni publik.
Teksa komentoi lëvizjet e grupimit "Alibeaj", Oketa tha se mbledhjet në kafenetë e Tiranës për zgjedhjen e kreut të grupit parlamentar janë diçka që s’ka lidhje me strukturën reale të PD.
Besoj janë protesta të shumëpritura edhe nga opinion publik. Është i përgatitur që shtatori është një muaj ku aksioni i opozitës do rifillojë. I shoh si zhvillime pozitive, janë e vetmja mënyrë që qytetarët të reagojnë dhe protestojnë mbi mënyrën se si po qeveriset vendi. Nuk mund ta fshehim që situata brenda PD-së s’është ajo që do të duhej të ishte. Nuk arrij të kuptoj lëvizjen politike të grupit të ashtuquajtur ‘Alibeaj’. Të mblidhet grupi parlamentar dhe të konfirmojë kryetarin në kafenetë e Tiranës, është një lëvizje që s’ka të bëjë fare me strukturën reale të PD. PD akoma s’ka arritur të bëjë atë unifikim mes strukturës në bazë dhe përfaqësuesve në Kuvend. Problemi dytë është që Meta sapo është rikthyer në politikën aktive, se di çfarë kontaktesh ka apo marrëveshjes me z.Berisha. Do ta shihja si zhvillim pozitiv çdo ftesë mbi çështje që shqetësojnë opinioin publik. Afera e inceneratorëve është një mega aferë korruptive. Personat përgjegjës për të s’janë vetëm ata që sot ndodhen para drejtësisë. Zinxhiri është akoma më i gjatë. Referuar protestës së nesërme, skena e krimit nuk është të inceneratori por te kryeministria. Aty janë firmosur 17 shkresa brenda një ditë. Qytetarët duhet të bëjnë kalkulimet e tyre, nëse edhe ata vet përfitojnë nga kjo protestë”.
Oketa vuri në dukje se opinioni publik bie dakord që Sali Berisha ka shumicën në PD. Ai e krahasoi taktikën e Alibeajt për të mos u takuar me anëtarësinë me atë të ish-kryedemkratit Basha para zgjedhjeve të 6 marsit.
Më duket absurde të kapesh pas një vule dhe një procesi banal gjyqësor dhe të pretendosh të kesh shumicën e PD. I gjithë opinion publik bie dakord që Berisha ka shumicën brenda PD. Më pëlqen apo s’më pëlqen mua, ky është një realitet. Sa më shpejtë Alibeaj apo ata anëtarë të Kuvendit ta kuptojnë këtë gjë aq më mire do i bënte PD, dhe zgjidhja finale do hynte në shinat e duhura. Është detyrë imediate e PD që t’i japë zgjidhje kësaj situate që në gjykimin tim është absurde. Unë kam qenë kundër rikthimit të Berishës në krye të PD, por s’mund ta mohoj këtë fakt, është realitet. Ka dy mundësi, e pranon dhe bën opozitarizëm brenda forcës politike ose krijon një subjekt të ri politik. Një dualizëm i tillë është gati gati amatorizëm politik. Nuk arrij të kuptoj cili është qëllimi i grupimit Alibeaj. Ngurrimi i Alibeajt dhe përfaqësuesve të tjerë për të takuar anëtarësinë është një paralele që ndoqi Basha, gjatë përplasjes me Berishën. U struk në zyrë dhe përpiqej që gjithçka ta zgjidhte nga ekrani dhe me dalje të rralla. Nuk e di pse Alibeaj insiston aq shumë te ai vendim gjykate. Subjekti politik s’mbahet me vendim gjykate”.
Lidhur me sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, Oketa tha se Rama e ka trajtuar këtë çështje me një tjetër standard nga rrjedhja e të dhënave të patronazhistëve dhe pagave. Oketa shton se sulmet e fundit tregojnë dobësinë e sistemit tonë të komunikimit elektronik, ndërsa shton se Ramës i duhen armiqtë e jashtëm.
Gjëja e parë që kam vënë re, kam konstatuar dy standarde të trajtimit të çështjes nga kryeministrimi Rama. Kur doli çështja e patronazhistëve, Rama e trajtoi me një lloj strategjie duke na i paraqitur patronazhistës si heronj, ku në zhargonin popullor ne i quanim spiunë. Kur dolën pagat Rama e quajti gjë pozitive. Në rastin e sulmit kibernetik nga Irani kemi një standard tjetër që të kujton lëvizjet e Partisë Komuniste. Sa herë që shokut Enver s’i mjaftonin armiqtë e brendshëm i duheshin armiqtë e jashtëm. Rama ka përdorur dy standarde. Trajtimi i kësaj çështje ka bërë që të eklipsohen çështje të tjera. Është moment i volitshëm për Ramën të bërë viktimën. Kjo është një çështje që u takon organeve ligjzbatuese. Tregon edhe dobësinë e sistemit tonë të komunikimit elektronik, pavarësisht tenderave dhe shumave marramendëse që janë harxhuar. Shqipëria në partneritet me NATO-n dhe SHBA-të të marrë masat e duhura për të parandaluar sulme të së ardhmes”.



