Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 58 raste të të infektuarve me koronavirus.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se sot janë njoftuar nga Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, që situata me pandeminë COVID-19, është alarmante dhe nëse vazhdohet si ditëve të fundit, duhet t’i kthejnë masat e mëparshme.
Hoti i bëri këto komente gjatë vizitës në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku tha se nuk dëshirojnë të kthehen masat, pasi sistemi jonë ekonomik, do të kolapsojë.
“Nga informatat që kemi marrë nga Instituti, situata është alarmante. Nëse nuk vetëdijesohemi për të respektuar strikt udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, ne jemi të detyruar t’i kthejmë masat që kanë qenë më herët për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, u shpreh Avdullah Hoti.
Hoti vizitoi IKShPK-në, së bashku me ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Ramë Likaj .
Ndërkohë gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë një 71-vjeçar nga Prizreni, i infektuar me COVID-19.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ,ka njoftuar se 58 rastet e paraqitura me koronavirus janë si shkak i pakujdesisë së qytetarëve.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët pas lehtësimit të masave, të vazhdojnë me respektimin e masave, meqë virusi është prezent.



