
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, për vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Greqi ku u prit fillimisht si piktor, por se në planin diplomatik nuk pati përparim të dukshëm, thotë se ishte kombinim i një vizite private profesionale dhe një kontakt zyrtar, pasi një numër problemesh vijojnë ende mes dy vendeve.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv ai u ndal tek çështja e detit për të cilën tha se është kryesorja në marrëdhënien mes dy vendeve.
Por sipas tij, nuk ka pasur pritshmëri të larta për një kompromis që t’i çohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe se jemi në një proces për të arritur kompromisin e famshëm për t’ia çuar gjykatës.
Nuk pashë që Kryeministri të ishte i shoqëruar nga ministrja e Jashtme apo përfaqësues të tjerë të ministrisë që merren me çështjen e delimitmit të ujërave territoriale, por Kryeministri dhe homologu i tij e njohin problemin dhe ndoshta kanë shkëmbyer mendime se si mund të përshpejtohet arritja e kompromisit.
Ekipet negociatore teknike punojnë me njeri tjetrin, por ende nuk është arritur ai kompromisi që flasim.
Grup negociator ka sepse janë ekipe teknike në ministrinë e Jashtme, të përbërë nga ekspertë që janë caktuar me kohë dhe punojnë dhe i njohin çështjet.
Në aspektin teknik shkëmbejnë informacione dhe qëndrime, por nuk kemi arritur akoma në fazën finale ku Presidenti në bazë të Kushtetutës duhet t’i japë grupit negociator, delegacionit shqiptar, të drejtën për të negociuar dhe ta dekretojë.
Nuk kemi arritur në këtë fazë. Në këtë fazë do të arrihet kur të ketë një qasje të përbashkët të dy ekipeve negociatore, kur është arritur në parim kompromisi dhe të kërkohet që Presidenti ta vulosë.
Jemi ende në diskutimin e aspekteve teknike të grupeve negociatore.
I pyetur lidhur me vijat e kuqe të palës shqiptare për çështjen e detit dhe ku nuk dëshiron të lëshojë pe qeveria jonë, Milo tha se vija e kuqe është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se ajo mbetet vija e kuqe për çdo qeveri.
Sipas tij, përndryshe vihet në dyshim efikasiteti i një institucioni kushtetues, gjë që do të ishte një gabim i madh kushtetues.
Brenda atyre vijave të kuqe, mund të ketë negocim mbështetur në argumente dhe pastaj duhet paraqitur institucioneve që shprehin vullnetin e popullit nga Presidenti dhe në fund marrëveshja ndërkombëtare do shkojë në parlament për miratim.
Duhet të arrihet dakordësia në aspektin teknik, më tej të dy qeveritë e paraqesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ndërsa në Ministrinë e Jashtme kanë asistuar së fundmi diplomatë turq që bashkërendojnë axhendat mes Tiranës dhe Ankarasë dhe sa të ndikuara janë raportet me Greqinë nga partneriteti i këtij lloji me Turqinë, Milo tha se në kohën e tij si ministër ka patur bashkëpunime me kolegë, ose përfaqësues diplomatikë të vendeve të ndryshme dhe mund të jetë kërkuar asistencë teknike, por jo më tepër.
Megjithatë nënvizoi bashkëpunimi institucional është praktikë e njohur ndërkombëtare.
Marrëdhëniet e tensionuara Greqi-Turqi nuk duhet të prekin marrëdhëniet me Shqipërinë, se Shqipëria është vend sovran dhe historikisht është përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira ose shumë të mira qoftë me Greqinë dhe Turqinë.
Interesi ynë kombëtar është të kemi marrëdhënie shumë të mira me të dy vendet dhe të mos bëhemi palë në mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.
Deri tani është arritur të ruhet një distancë e pëlqyeshme në tensionet greko-turke.
Si Greqinë dhe Turqinë i kemi partnerë strategjikë dhe duke qenë se na bashkojnë shumë interesa, nuk duhet të vendosim ndonjë çështje që mund të kemi interesa të ndryshme.
Në stadin aktual mund të ketë shkëmbim mendimesh mes ekspertëve për të gjetur formulën e kompromisit që të dy qeveritë duhet ta paraqesin te Gjykata e Hagës.
Për takimin e Ohrit në fundjavë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç, ku BE ka vijuar edhe sot me deklarata duke u kërkuar palëve zbatimin e angazhimeve edhe pse nuk kanë firmosur, Milo e cilësoi marrëveshjen si një produkt që ngjall një lloj optimizmi për të vendosur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në një shtrat normaliteti.
Jo se me këtë ngjarje në Ohër, e ka realizuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Është shpejt për të folur siç disa zyrtarë të lartë e cilësuan takimin si historik.
Nuk shoh elementë thelbësorë që takimi të quhet historik. Është një nismë që mundohet që të qetësojë tensionet mes dy vendeve.
Ka pozitivitet, por gjithçka do të varet nga ecuria e kësaj fryme pozitive që nisi se nëse do të fillojnë përsëri të shfaqen mosmarrëveshje të thella kur të diskutohen çështjet siç njohën asociacion apo vetëmenaxhim, siç u përdor teri i ri, do të shihet përmbajtja e këtij dokumenti që quhet vetëmenaxhim, çfarë do të përfaqësojë dhe çfarë të drejtash do t’i japë minoritetit serb dhe cila do të jetë marrëdhënia e këtyre institucioneve lokale me Beogradin.
Ka disa çështje që po nuk u panë konkretisht, mbetet për tu përcaktuar. Dikush e quan asociacion, Albin Kurti e quan vetëmenaxhim.
Jam i bindur që ka qenë këmbëngulja e Kurtit që u zgjodh termi vetëmenaxhim, por mbetet të shihet nëse është term për konsum publik apo do të përputhet termi dhe përmbajtja.
Do të presim që të shohim termat e këtij organizimi, institucionet, marrëdhëniet mes tyre për të gjykuar më tej.
Ka disa që thonë se nuk do jetë gjë tjetër veçse një kopje dhe përsëritje e marrëveshjeve të vitit 2013-2015, atëherë nuk besoj se do të kemi ndonjë progres.
Se gjithë kjo luftë dhe presion që u bë hidhen në erë. Duhet të presim, të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që t’i interpretojmë ngjarjet që ndodhin me objektivitet.
Është ende herët për t'i vënë notën kësaj krijese që doli nga bisedimet e Ohrit.



