
Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar dhe transformimi i truallit përreth tij është ende një rrezik aktual dhe i dukshëm. Protestat e artistëve dhe shoqërisë civile arritën që për 10 muaj me radhë të mbanin në këmbë teatrin dhe të mos lejonin rrafshimin e tij, ashtu sikurse qeveria synonte, porse, pavarësisht qëndresës së pandalur të tyre, teatri është ende i kërcënuar. Hapja e konkursit për postin e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar Eksperimental e dëshmon këtë.
Sipas përfaqësuesve të Aleancës në Mbrojtje të Teatrit ekziston ende frika se qeveria nuk është tërhequr nga procesi tërësisht jotransparent dhe autoritar i tjetërsimit të kësaj hapësire dhe me dy drejtorë pro shembjes mund ta çojë deri në fund qëllimin e shpalosur përgjatë këtyre dhjetë muajve.
Miratimi para disa muajsh nga mazhoranca i projektligjit, që i hap rrugën shembjes së godinës së Teatrit është kritikuar që në krye të herës si akt totalitar dhe mafioz nga artistët, qytetarët dhe shoqëria civile.
SHESHI I PROTESTAVE
Protestat për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar filluan që në muajin shkurt. Artistët ishin të bindur të mbronin teatrin, së pari si vlerë kombëtare. Ndërsa nga qershori e për të vijuar deri më sot, protesta në mbrojtje të teatrit është bërë e përditshme, duke e kthyer sheshin e Teatrit Kombëtar në sheshin e shprehjes së lirë të mendimeve për të gjithë qytetarët.
Por, ndërkohë që artistët në masë të madhe janë pro ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar, gjatë këtyre muajve, një pjesë e tyre u rreshtuan në anën e kundërt, madje, edhe ata, që në fillim ishin shprehur si mbrojtës të Teatrit Kombëtar. Ndërsa ndërhyrja e politikës duket se ishte e pashmangshme.
Por, pavarësisht se një pjesë e artistëve nuk e vijoi kauzën për mbrojtjen e godinës së teatrit, protestat u përshkallëzuan. Artistët u bënë thirrje njerëzve të bashkoheshin me ta dhe mijëra qytetarë të vendit protestuan bashkë me ta, duke dëshmuar se shembja e Teatrit Kombëtar nuk mund të bëhej lehtësisht.
Protestues dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e kritikojnë ashpër projektin e Ramës për shkak të jotransparencës, tenderimit të dyshimtë të kontratës duke anashkaluar të drejtën e konkurrencës. Për më tepër, ligji, sipas tyre është në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe as nuk mund të kontestohet, pasi Gjykata Kushtetuese është inekzistente.
PROJEKTLIGJI DHE (ANTI)KUSHTETUESHMËRIA
Me votimin e ligjit për teatrin, kryebashkiaku Erion Veliaj është ai që ngarkohet të përgatisë një kontratë me kompaninë private brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Kjo kontratë duhet gjithashtu që të miratohet në Kuvend. Por diçka e tillë përshkallëzoi më tej protestën. Ndërkohë që mazhoranca e votoi me 75 vota projektligjin, i cili i hapte rrugën negociatave me kompaninë “Fusha” sh.p.k për të zhvilluar truallin e Teatrit, që më pas sillte rrjedhimisht edhe shembjen e godinës, opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cilësoi projektligjin si antikushtetues dhe korruptiv, në shkelje të ligjit për “Prokurimet Publike” dhe atij për “Partneritet Publik Privat”.
Nga ana e tij, presidenti Ilir Meta nuk e nënshkroi ligjin, ndërsa kryeministri Edi Rama vijon të shprehet i bindur se teatri duhet të rinovohet dhe është në rrezik shembjeje. Gjatë promovimit të godinës së “ArTurbinës”, ai u shpreh se godina e Teatrit Kombëtar nuk është pjesë e historisë kombëtare të teatrit.
NDËRHYRJET NË TRUALLIN PUBLIK
Me mosnënshkrimin e ligjit nga presidenti artistët kanë shënuar fitoren e tyre të rradhës, megjithatë mbrojtja e teatrit nuk ka përfunduar. Ata kërkojnë që teatrit t’i rinjihet statusi monument kulture dhe kërkojnë ndihmën e ndërkombëtarëve, ndërsa denoncojnë vjedhjen e pronës së truallit publik.
Veç padive të ngritura nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ndaj Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, në fund të korrikut edhe Partia Demokratike nga ana e saj bëri me dije se do të ngrinte një padi penale ndaj Bjarke Ingels. Por tashmë kur kanë kaluar disa muaj ende nuk është ngritur asnjë padi penale, ndërsa për momentin nuk ka asnjë reagim as nga qeveria, bashkia apo institucionet përgjegjëse.
Një rrezik tjetër për ndërhyrjen në truallin e Teatrit përbën edhe prishja e mundshme e pedonales pranë Teatrit Kombëtar.
Tashmë, 10 muaj pas çeljes së protestave nga artistët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, artistë, aktivistë dhe njerëz të thjeshtë vijojnë të protestojnë, të bindur të shpëtojnë godinën e teatrit dhe historinë e lidhur me të.
Ajo çfarë mund të themi është se Teatri Kombëtar nuk do të ekzistonte më nëse nuk do të ishte pikërisht rezistenca e artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve në mbrojtje të tij. Pavarësisht se për gati një vit ata ia kanë dalë të mbajnë në këmbë teatrin, rreziku për prishje të tij ende ekziston dhe bashkë me të edhe rreziku për fshirjen e 80 viteve histori që lidhen me të. Shpëtimi i Teatrit Kombëtar ashtu si deri më tani lidhet së pari me shpirtin e protestës së secilit prej nesh.



