Gazetari Sokol Bregu dha në studion e MCN disa detaje mbi arrestimin e Aldo Avdylajt. Bregu tha se informacioni që çoi në kapjen e tij mund të ketë dalë nga njerëz shumë pranë tij.
Është arrestuar në Tiranë, në afërsi të Liqenit Artificial. Kishte dy masa sigurie ndaj tij. Aksioni ka qenë i RENEA-s. Nuk e di si ka ardhur informacioni. Mendoj se një tradhti nga brenda duhet të jetë. Që ta njohin njerëz të rastësishëm, kjo nuk mund të ndodhë. Fotoja e vetme e tij që qarkullon është një foto e para 15 viteve. Ai që e ka dhënë informacionin është brenda miqësisë së tij ose nga përgjimet që mund t’i jenë bërë një telefonate.
Bregu u ndal edhe te armëmbajtja pa leje. Ai theksoi se nëse ligji do të zbatohej në mënyrë rigoroze, numri i vrasjeve do të ishte shumë më i ulët.
Nëse kemi ulje të vrasjeve, sot jemi te 30 në vit... po të respektohet edhe ligji për armëmbajtje pa leje nga gjykatat se gjykatat të lirojnë. Ne kemi ligjin më të ashpër për armëmbajtje pa leje.
Sa i takon aksionit të djeshëm në Elbasan, ku u arrestuan 14 persona, mes të cilëve edhe pronari i kompanisë “Delta”, Bregu tha se arsyet shkojnë përtej armëmbajtjes pa leje.
Te Elbasani nuk mendoj se ishte thjesht dhe vetëm një kontroll rutinë se ishin 3 veta të armatosur. Asnjëri prej tyre nuk ishte në kërkim. Pra, dyshimet për ta shkojnë përtej një armëmbajtjeje të thjeshtë pa leje. Mendoj se ka diçka përtej kësaj dhe shumë shpejt mund të dalë. Elbasani ka dy vjet pa regjistruar vrasje. Mos harro që 5-6 vite më parë, të gjithë rrinin me pult në dorë kush do të vritej në Elbasan.
Në lidhje me sekuestrimin e pasurive të dyshuara se kanë ardhur nga aktiviteti kriminal, Bregu u shpreh se ato përbëjnë vetëm një pjesëz të vogël të pasurive që ka vënë krimi.
Në këtë pikë më duken pak. Janë sekuestro, konfiskim është ndryshe. SPAK vetëm me dy celularë bllokoi në monedha digjitale 10 milionë euro dy vëllezërve Çopja. Tirana ka miliarda dollarë të ardhura prej krimit. Një të njëmiliontën ka sekuestruar të asaj që ndodhet në Tiranë.



