Përpjekja e tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa sukses, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Haxhiun për herë të gjashtë për këtë post, por as kësaj radhe ajo nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Këtë herë, Haxhiu mori vetëm 54 vota pro, ndërsa 44 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.
Për dallim nga seancat e mëparshme ku ajo siguronte 57 vota, ky rezultat shënon një rënie në mbështetje. Si pasojë, Kuvendi do të mbajë një seancë të re për tentativën e nëntë të konstituimit.
Që prej 15 prillit, Kuvendi i Kosovës po mban seanca çdo dy ditë në përpjekje për të përmbyllur fazën e konstituimit, e cila përfundon vetëm pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
Pas votimit të dështuar, kryesuesi më i vjetër i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të enjten, në ora 10:00.



