
Java nisi me reshje intesive shiu dhe erë, por vransirat do të na përcjellin edhe gjatë kësaj jave. Shërbimi meteorologjik, në faqën e vet zyrtare ka bërë një pasqyrë të parashikimit të motit deri në fundjavë, ku dominojne reshjet e shiut në pjesën më të madhe të vendit.
Për javën në vijim mbi vendin tonë pritet ndikimi i kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe mot i “agravuar”.
Duke nisur nga dita e Hënë nga orët e para të mëngjesit (00:00) e deri në orët e mesditës (11-12:00) priten reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë në pjesën më të madhe të territorit. Specifikisht në zonën e veriperëndimit, jugperëndimit dhe ultësirën perëndimore reshjet pritet të jenë në formën e rrebesheve, breshërit dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike. Më pas reshjet humbasin intensitet dhe bëhen të herëpashershme me intensitet të ulët. Deri në orët e mesditës do të ketë edhe erë intensive me drejtim nga kuadrati i Jugut dhe shpejtësi deri në 25-30m/s përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore.
Ditët që pasojnë do të jenë kryesisht me mot të vranët dhe reshje shiu të dobta dhe të herëpashershme ndërsa ditën e Mërkurë në zonën e Veriperëndimit reshjet përsëri të vazhdueshme me intensitet të lartë ndërsa në pjesën tjetër të vendit të herëpashershme me intensitet deri mesatar.
Ditën e Enjte që në orët e para të ditës priten reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar në të gjithë territorin. Përgjatë ultësirës perëndimore, veriperëndim dhe jugperëndim deri në orët e mesditës reshjet me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve më pas ato humbasin intensitetin. Po e njejta situatë pritet edhe për ditën e Premte.
Si pasojë e motit të keq trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk do të jetë sërish në kalatë sot.
Edhe nisja nga Italia është shtyrë për në mbrëmjen e sotme dhe nesër në mëngjes do të mbërrijë në Vlorë në orën 07:30.
Jugu i vendit ashtu sikur edhe pjesa tjetër e vendit mbrëmjen e djeshme janë përfshirë nga reshje të dendura shiu.
Raportohen përmbytje në qytetin e Gjirokastrës.
Përroi i Ficos, i cili përshkon lagjet e sipërme të qytetit, ka dalë nga shtrati duke bërë që rrugët të pushtohen nga balta por nuk ka vënë në rrezik ndërtesat.



