
I riu Xhuliano Muça, i ftuar në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, rrëfeu pasionet dhe profesionet që e shoqërojnë në jetën e tij.
Ai tregoi se ka studiuar për psikologji, por pasi nuk gjeti mundësi punësimi në këtë fushë, vendosi të ndiqte një shkollë njëvjeçare për kuzhinier, profesion të cilin e ushtron aktualisht.
Kam studiuar psikologji në fakultet. Vij nga një fshat i vogël i Krujës dhe si çdo prind, edhe të mitë donin të mbaroja shkollën.
Por diploma nuk më eci si duhet, ndaj vendosa të ushtroj një profesion tjetër, atë të kuzhinierit.
Bëra kursin dhe sot punoj si kuzhinier.
Nuk më mungoi dëshira për të ushtruar profesionin e psikologut, por duke qenë se nuk gjeta hapësirë për punë, pasioni për kuzhinën e udhëhoqi drejt një profesioni të qëndrueshëm.
Tani jam shef kuzhine në një restorant. Gjatë verës punoj në bregdet ku gatuaj kryesisht ushqime deti dhe pjata tradicionale.
Kam gatuar që i vogël; e kam marrë pasionin nga mamaja, por ishte gjithmonë edhe dëshirë e imja.
Sa i përket muzikës, Muça tregon se ky pasion ka qenë gjatë gjithë jetës së tij.
E kam pasur gjithmonë dëshirë muzikën. Si i vogël kam bërë disa këngë.
Me të ardhurat që kam fituar nga kuzhina, kam arritur të realizoj edhe projekte muzikore.
Kënga ime e parë më kushtoi 1500 euro dhe ia kam dedikuar vëllait. Tani kam përfunduar këngën e tretë, para dy javësh.
Më së shumti e gjej veten te muzika popullore, të cilën e adhuroj.
Nuk i lë dot të treja profesionet, psikologjisë, kuzhinës dhe muzikës që tashmë janë pjesë e rrugëtimit tim.



