Zonat periferike të kryeqytetit janë tejmbushur nga mbeturina të cilat hidhen vend e pa vend duke shkaktuar shqetësim dhe erë të pakëndshme për banorët që jetojnë aty. Nga pamjet e siguruara nga emisioni “ Xhadat” shihet se si në një lagje të Shkozës, konkretisht në rrugën “Spahiu” koshat janë tejmbushur me mbeturina dhe nuk merret asnjë masë për ti zbrazur. Janë vetëm dy kazanë të vendosur në kryqëzim të rrugës ku kalojnë shumë makina dhe këmbësorë. Sipas banorëve pastrimi i tyre bëhet shumë rrallë duke bërë që situata të rëndohet. Banorët shprehen se këto plehra përhapen deri afër banesave të tyre. Ata kërkojnë që të vendosen në vende më të përshtatshme që të ketë hapësirë të mjaftueshme për t`i hedhur dhe të shtohen në numër.
E quajtur dikur si rruga e luleve sot është kthyer në rrugën e plehrave. Kjo situatë aspak e këndshme i ka detyruar banorët të kërkojnë vëmendje nga ana e Bashkisë e cila duket se e ka harruar si zonë. Banorët u shprehën të lodhur nga kërkesat e herë pas hershme që i kanë dërguar Bashkisë Tiranë ku kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë masë për largimin e kontejnerëve.
Gazetarja e “ Xhadave” së bashku me njërin prej banorëve kanë telefonuar përgjegjësin e pastrimit për ta pyetur në lidhje me kontejnerët e papastruar prej një jave por përgjegjësi i pastrimit e mohoi këtë gjë. Pasi dëgjoi se telefonata po zhvillohej në praninë e medias përgjegjësi i pastrimit premtoi se do dërgonte makinën e pastrimit brenda një ore. Siç edhe tha makina e pastrimit shkoi dhe i zbrazi kontejnerët por situata ditët në vijim vazhdon po njësoj. Disa nga banesat private janë të pajisura me kamera sigurie, nga ku vetë banorët monitorojnë situatën me plehra, duke hedhur poshtë me fakte, strukturat e pastrimit, që e mohojnë mungesën e dhënies së shërbimit në këtë zonë.



