Franca po përgatitet të bëhet vendi i parë në botë që do të ketë në kushtetutën e vendit të drejtën për abort.
Këtë të hëne përmes një seance të veçantë ligjvënësit e dy dhomave të parlamentit kanë planifikuar te mblidhen në Pallatin e Versajës për votimin i cili me shumë gjasa do të jetë thjesht procedurë. Nëse kjo nismë e qeverisë do të marre 3/5 e votave menjëherë do të pasoje me rishikimin e Kushtetutës së vitit 1958 duke bërë që ky të jetë ndryshimi i 25 i këtij dokumenti themelues për Republikën e këtij shteti. Ky ndryshim kushtetues i nxitur nga lëvizjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është mbështetur nga 85% e qytetarëve francez.
Por me gjithë mbështetjen nuk kanë munguar as kritikët ndër radhët e opozitës të cilët akuzojnë presidentin Macron se po përdor një lëvizje të tillë politike për qëllime elektorale.
Ndërsa të tjerë zëra nuk shprehen kundër abortit, por vënë në diskutim nëse ky i fundit duhet te konsiderohet një çështje kushtetute.
"Përtej të qenit një simbol ky rishikim nuk do të ndryshojë absolutisht asgjë. Politikanët francezë kanë një veçori që sa herë duan të sinjalizojnë rëndësinë që i kushtojnë një çështje ata kërkojnë ta pasqyrojnë atë edhe në kushtetutë”, tha Anne Levade, profesoreshë në Universitetin e Parisit Sorbonne.
Në Francë e drejta për abort është sanksionuar në ligj që në vitin 1975. Që atëherë ligji është rishikuar 9 herë dhe në çdo rast duke u liberalizuar dhe sa herë që kjo ka ndodhur Këshilli kushtetues i Francës që është edhe organi që vendos për kushtetutshmërinë e ligjeve nuk ka ngritur asnjëherë pyetje rreth tij.



