Nisja e fushatës së vaksinimit më herët sesa ishte parashikuar, për analistin dhe gazetarin Mustafa Nano është një strategji e kryeministrit Rama për të fituar pikë elektrale. Në studion e lajmeve në MCN TV, Nano tha se sidoqoftë, ky është një hap shumë pozitiv.
“Nisja e fushatës kaq herët besoj se do të jetë një faktor i rëndësishëm në ekuacionin elektoral të Edi Ramës. Është e sigurt që Rama ta nisë sa më herët vaksinimin, në mënyrë që të fitojë pikë elektorale. Nga ana tjetër, nuk kemi pse të shqetësohemi shumë. Ne na duhet të fillojë sa më herët. Ne duhet ta përgëzojmë”, tha ai.
Nano tha se vendi që ka ndihmuar me vaksinën mund të jetë Italia ose Turqia.
“Ka kërkuar konfidencialitet. Nëse ka qenë Italia ose Turqia, mund të jetë një pjesë e opinionit publik që ankohet sepse ata mund të mos kenë mjaftueshëm për vendin e tyre. Është logjike”, thotë ai.
Sa i takon darkës së ministrave në Dubai, Nano tha se vëmendja duhet përqendruar te fakti se çfarë është diskutuar gjatë asaj vizite dhe jo te vetë darka.
“Kam vënë re se ka një lloj fokusimi te darka. Është fokusimi i gabuar. Një darkë luksoze mund t’ia lejojnë vetes mijëra shqiptarë. Të bën përshtypje që është i pranishëm një nga biznesmenët më të fuqishëm. Për çfarë negociohet? Po diskutohet lidhur me portin e Durrësit. Kur flitet për investime janë lajme të bukura, por ka nevojë për transparencë. Këtë transparencë, qeveria na e ka borxh”, tha ai.
Lidhur me mundësinë e negocimit të një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Turqisë me ndërmjetësimin e Shqipërisë, Nano tha se nëse arrihet kjo, do të ishte sukses i diplomacisë shqiptare.
“Nëse kjo është e vërtetë, kjo do të thotë se Rama ka ditur të luajë një rol. Bëhet fjalë për një konflikt dhe Rama ka kërkuar në mënyrë inteligjente që pjesë të këtij problemi të zgjidhen në Tiranë përmes negociatash. Nëse arrihet, duhet të konsideroht sukses i diplomacisë shqiptare”, tha ai.



