
Tre persona, përfshirë një polic, janë therur me thikë nga një 25-vjeçar në stacionin e trenit "Victoria" në Manchester të Britanisë së Madhe.
Sipas autoriteteve vendase, sulmi në prag të Vitit të Ri është duke u trajtuar si një incident i lidhur me terrorizin, ndërsa policia ka njoftuar se përpos policit, viktima të këtij sulmi janë një burrë dhe një grua të moshës rreth 50 vjeçare.
Një 25-vjeçar është arrestuar me akuzën e vrasjes në tentativë.
Dy thika janë gjetur në vendngjarje, ndërsa një pronë që dyshohet se i përket autorit është duke u kontrolluar në zonën Cheetham Hill.
BBC raporton se shërbimet e sigurisë po ndihmojnë policinë për ngjarjen e fundit.
Të tre personat u dërguan në një spital të afër me lëndime "serioze", por ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një grua në të 50-at pësoi plagë në fytyrë dhe në bark, ndërsa një burrë, edhe rreth 50-tat, është plagosur në stomak.
Stacioni hekurudhor "Victoria" në Manchester u rihap pas goditjeve.
Kryeministri Theresa May ka reaguar në Twitter rreth incidentit:
Një dëshmitar i ngjarjes ka thënë se sulmuesi e mbante në dorë një thikë të madhe të kuzhinës.
Policia e qytetit të Mançesterit ka thënë se nuk ka shenja për ndonjë sulm më të gjerë tash për tash.
Gjatë arrestimit të personit të dyshuar, policia përdori sprej të syve dhe elektroshok sepse ai po i rezistonte fizikisht arrestimit.
Ai ishte shumë agresiv, prandaj pesë policë e zaptuan për t'ia vënë prangat.
Ndërsa zyrtarët thanë se policia kundër terrorizmit ishte duke udhëhequr hetimin.



