
Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i ka kërcënuar me vdekje policët e dyshuar për korrupsion. I njohur për masat ekstreme dhe deklaratat e tij të ashpra, Duterte mblodhi në një takim më shumë se 100 policë, të cilët po hetohen lidhur me dyshimet për korrupsion dhe shkelje të tjera. Duterte tha se nuk do të tolerojë qoftë edhe gabimin më të vogël, që njollos imazhin e forcave policore të Filipineve.
“Dua të jem i sinqertë që në fillim me të gjithë filipinasit. Nëse vazhdoni në të njëjtën rrugë, jo bij k..vash, do t’ju vras. Të jeni të sigurt për këtë. Nuk më hyni në punë për asgjë tjetër, budallenj”, u është drejtuar ai policëve, që akuzohen për grabitje, zhvatje, rrëmbim, përdhunim dhe korrupsion.
Presidenti 73-vjeçar theksoi se në mënyrë të veçantë ka vënë në shënjestër policët e përfshirë në trafikun e drogës. “Ata që janë përfshirë në afera me bandat e drogës, ose janë korruptuar prej tyre, do të jenë nën mbikëqyrje për gjithë pjesën e mbetur të jetës së tyre. Kam një njësi të veçantë për këtë gjë. Nëse bëjnë qoftë edhe një gabim të vetëm, do t’i vras”, tha ai.
Duke i përshkruar si kriminelë të gjithë policët e pranishëm, Duterte iu drejtua familjeve të tyre. “"Nëse këta bijtë e k..vave vdesin, mos na vini duke kërkuar të drejtat e njeriut apo procese të rregullta gjyqësore. Jeni paralajmëruar”, tha ai.
Pavarësisht kritikave ndërkombëtare për shkeljen hapur të të drejtave të njeriut, presidenti i Filipineve e vijon luftën me kartelet e drogës. Me justifikimin se do ta zhdukë drogën dhe të përmirësojë imazhin e vendit, Duterte ka urdhëruar qindra ekzekutime pa gjyq. Më shumë se 1 800 policë nga 6 401 të akuzuar u shkarkuan nga forcat e sigurisë dhe rreth 3 600 janë pezulluar përkohësisht gjatë presidencës së Dutertes. Ndër të shkarkuarit ishin 261 policë, të cilët testuan pozitivë për drogë.



