
Avokati Rezart Kthupi, i cili përfaqëson pjesën e Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili mbledh Kryesinë mesditën e sotme, deklaroi se për sa kohë ka një trup dhe mblidhet do të thotë që Kryesia e partisë është në rregull.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se për kandidatët që në nëntor ka pasur një ftesë publike dhe tentativë për të gjetur një marrëveshje bashkëpunimi dhe se ftesa ngeli e injoruar dhe u përsërit mbasi mbaroi gjyqi në Apel që të dilet me kandidat të përbashkët por u refuzua.
PD ka pasur dy opsione, të vijojmë me paraqitjen e kandidatëve dhe Këshillave Bashkiakë për çdo bashki, ose për mos krijimin e një dualiteti për kryetarë bashkie, të gjendet formulë ku pjesa më e mirë të jenë kandidatët e primareve dhe ku do të gjendet dakordësia do të të caktohen kandidatët e PD. Kandidatë ka dhe për Këshillat Bashkiakë.
Kthupi akuzoi palën e Sali Berishës se tentuan një artificë ligjore, kundërshtuan në KAS, vendimin e komisionerit që zbatonte vendimin e KAS.
Sipas tij, vendimi i komisionerit Ilirjan Celibashi për regjistrimin e PD, nuk ishte marrë nga Celibashi, por nga KAS.
Le të shkonin në Kolegj Zgjedhor nëse donin që të mos regjistrohej PD. Nuk mund të krijohen artifica të tilla thjesht për të mbajtur në opinion se nuk do të regjistrohet PD.
Nuk mund të pezullohet një gjë që e ka dhënë efektin.
Lidhur me kompetencat që ka Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të PD, ai shtoi se autorizimi pavarësisht dorëheqjes së kryetarit, është i vlefshëm.
Dispozita thotë se kryetari mund ti delegojë tagrat te një nga nënkryetarët dhe në rast të mungesës së autorizimit Këshilli Kombëtar mblidhet.
Autorizimi delegon tagrat e kryetarit. Edhe një ministër kur jep dorëheqjen dhe kalon tagrat te zv.ministri, ai vazhdon të ekzekutojë tagrat sa të vijë ministri i ri.
Për mënyrën se si PD e Alibeajt do të dalë në zgjedhje me kandidatë, Kthupi foli për tre opsione.
Opsioni i parë është që PD të propozojë 61 kandidatë në të gjitha zonat, opsioni i dytë është që të propozohen në ato zona ku nuk ka kandidatë unik dhe opsioni i tretë për të mos nxjerrë kandidatë në të 61 zonat.
PD është regjistruar në zgjedhje si subjekt më vete, tani mbetet vetëm për t’u regjistruar pjesa e kandidatëve.
PD nëse nuk ka nxjerrë kandidatë, do të mbështesë kandidatin e koalicionit.
Sipas tij, nëse dilet në zgjedhje me dy kandidatë bashkimi në bazë pas zgjedhjeve do të jetë i pamundur.



