Në vitin 2015, shumica e parave të pista që qarkullonte në Shqipëri përqëndrohej te industria e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Kriminalizimi i ekonomisë nisi të bëhej problem që po shkaktonte tensione mes qeverisë, po shkatërronte parametrat e ekonomisë dhe po shqetësonte institucionet me raporte ndërkombëtare që kërkonin adresimin e kësaj situate.
Shqipëria ka jetuar gjithmonë si ekonomi me frymëmarrjen që japin paratë e pista, por pesha e tyre në ekonomi ndryshon në konkluzionin nëse ekonomia është ose jo e kriminalizuar.
Dashje ose padashje, këtë e ndan përqindja e ekonomisë informale. Vlerësimet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe vetë qeverisë, arrijnë në përfundimin se ekonomia informale varion nga 35 deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto.
Këtu llogaritet një pjesë e parave që qarkullon në formën e evazionit fiskal, tregut të punës në të zezë, fshehjes së pasurisë dhe parave të korrupsionit dhe të drogës. Këto dy të fundit po shihen sërish si një problem i madh për vendin edhe pas shkëputjes së krimit nga industria e kanabisit.
“Niveli i ekonomisë informale në Shqipëri ka lëvizuar në nivelin 40-50% historikisht. Kjo do të thotë se të dhënat që shohim nga raportet zyrtare statistikore është vetëm gjysma e ekonomisë reale të vendit”, thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Çdo vit e më shumë, pavarësisht masave të marra nga agjencitë publike për formalizimin e ekonomisë duke detyruar hapjen e llogarive bankare për bizneset dhe duke ndërmarrë nisma në deklarimin e burimit të pasurive të parave që depozitohen në banka, apo shtrëngimin e zyrtarëve për të justifikuar të ardhurat, paraja në qarkullim jashtë kanaleve zyrtare rritet çdo vit. Në nëntor të vitit 2023, qarkulluan 5.9 miliard euro para ‘cash’, 300 milion euro më shumë se në nëntor të vitit 2022 dhe 700 milion euro më shumë se në nëntorin e vitit 2021.
Pas luftës së parave të pista të gjeneruara nga industria e kanabisit, e cila nisi dhe rrëzimin e vlerës së monedhës euro në kursin e këmbimit valutor vendas, ekonomia e parave të pista u përqëndrua në një tjetër linjë: trafiku i lëndëve narkotike nga grupet shqiptare që punojnë në Amerikën Latine, lidhjet e tyre pika kyçe të Europës dhe një pjesë tjetër e këtyre kriminelëve që jetojnë dhe mbajnë pasurinë e tyre në Dubai.
Në ndryshim me vitet kur dominonte kanabisi, dukuri për të cilën u hetua dhe dënua ish -ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tashmë Shqipëria nuk prodhon para të pista dhe lëndë narkotike, por xhiron dhe pastron paratë e drograve të rënda.
“Politikanët tanë mendojnë se si t’i marrin paratë e krimit dhe t’i injektojnë në ekonomi sepse mendojnë se ato para i bëjnë mirë ekonomisë shqiptare, por ato para kanë krijuar një varësi të ekonomisë nga aktivitetet e krimit. Dhe shteti duket si një narkoman, po nuk e mori dozën vuan”, thotë gazetari Artan Hoxha.
Grupet kriminale shqiptare kanë arritur të kenë lidhje direkte me vendet e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, kryesisht në Ekuador dhe Brazil. Një pjesë e këtyre parave që fitohen nga aktivitete kalojnë dhe transferohen në Dubai, e një pjesë hyjnë në Shqipëri.
Që nga viti 2019, importet e lëndëve të para në Ekuador janë rritur duke zënë një mesatare prej 30 milion eurosh në vit. Në vitin 2023, rritje shënojnë dhe blerjet e mallrave në Brazil, të cilat kapin shfirën 70 milion euro, nga 50 milion euro që ishin në vitin 2022 dhe 35 milion në vitin 2021. Shqipëria rezulton me 3-fishim të importeve dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 9 milion euro në vitin 2022, në 27 milion euro në fund të vitit që lamë pas.
“Kur ti je sëmurë trupi rrit temperaturën dhe e kupton që je i sëmurë. Dhe këto dhëna janë si puna e temperaturës për ekonominë shqiptare. Ti e kupton që sa herë që rriten vëllimet tregtare të Amerikës Latine, rritet dhe paraja e aktiviteteve kriminale me origjinë këto vende për shkak se matematika ekonomike nuk e pranon si argument logjik për shkak të distancës së madhe që ka”, thotë eksperti Pano Soko.
Grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë mënyra të sofistikuara për dërgimin e parave duke përdorur kompani në vende offshore të cilat mbajnë sekret emrat e pronarëve dhe arrijnë të depërtojnë në tregjet shqiptare.
Investimet e huaja direkte nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale, Panama, Qipro, Ishujt Kajman, Hollandë dhe Zvicër kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit.
Fluksi i parave që hyjnë nga burime të panjohura që nuk u njihet pronari rezultoi 189 milion euro për 9-mujorin e parë të vitit 2023, ndërsa kapi rekordin në vitin 2022 me 476 milion euro investime.
Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave evidenton se faktorët që rritin rrezikun dhe dobësojnë sistemin janë dominimi në masë për disa vite i veprës penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, prania e grupeve kriminale me lidhje kombëtare dhe ndërkombëtare dhe prezenca e lartë e korrupsionit e cila lehtëson veprimtarinë e pastrimit të parave të krimit.
Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit nisi të marrë vëmendjen e opinionit kur çmimet në kryeqytet apo në zonat bregdetare fluturuan në mbi 2000 euro për metër katrorë. Në disa zona të Tiranës çmimet e apartamenteve kapën dhe vlera që mund të jenë të krahasueshme vetëm me metropole si Manhatani, Londra dhe Dubai: 4-5 mijë euro/m2. Por pavarësisht këtyre çmimeve të larta, rezulton se 51 mijë apartamente në kryeqytet janë bosh, nuk jeton askush, ndërsa çmimet rriten duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese për një familje normale.
Dukuria e parave të pista e shpejgon më së miri këtë fenomen. Sot për një familje mesatare është bërë mision i pamundur blerja e një shtëpie dhe për ata që kanë të ardhura mbi mesataren do të duheshin kursime mbi 30 vjet!
"Një pjesë e mirë e apartamenteve në Shqipëri nuk shiten sepse duhet të përdoren për qëllimin fundor që të banojë një familje, sepse ky është qëllimi i ndërtimit të një apartamenti. Por jo, apartamentet përdoren si parking i parave të pista!”, sqaron Soko.
Nëse do të llogariten paratë që po investohen në sektorin e ndërtimit në bazë të lejeve të dhëna, do të duheshin të paktën 700 milion euro në vit investime, por kredia e re e dhënë për sektorin e ndërtimit gjatë vitit të shkuar ishte 320 milion euro, gjysma e këtij investimi nuk justifikohet me fonde të ligjshme.
Pyetja që lind është se ku i kanë gjetur paratë këto firma apo blerësit e apartamenteve. Edhe kredia për blerjen e shtëpive në total për vitin 2023 kapi vlerën 470 milion euro, ndërsa vlera e transaksioneve të pasurive të shitura, ishte mbi 2 miliard euro, gati tre të katërtat e kësaj shume, nuk rezulton të kenë dalë nga kanalet bankare.
Sipas indeksit fischer që publikohet nga Banka e Shqipërisë çmimet e banesave u rritën vitin e shkuar me 13.3%, një rritje e lartë dhe dyshifrore për një treg të stabilizuar ndër vite dhe me transaksione në vlera të larta siç është ndërtimi. Sipas bankës qëndrore, pak më shumë se gjysma e banesave, 56%, janë blerë me financim nga bankat, të cilat kanë dhënë fonde vetëm për 60% të vlerës së pronës.
“Tani kemi arritur te pika që kemi 51 mijë apartamente bosh në Tiranë. Kjo e dhënë duhet të verë në alarm autoritetet. Kjo tregon se sa është impakti i ekonomisë informale në këtë vend. Dy janë burimet e parave të pista: narkotrafiku dhe korrupsioni. Narkotrafiku i fut paratë brenda dhe korrupsioni i nxjerr jashtë. Këta të parët i investojnë në kulla. Si ka mundësi që ka rënë fuqia blerëse e ushqimeve dhe janë rritur shitjet për banesat?” thotë gazetari Artan Hoxha.
Ndërtimi bashkë me aktivitetin e pasurive të patundshme zënë afro 15% të prodhimit kombëtar të vendit.



