
Njerëzit që përdorin më shumë dorën e majtë përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së botës. Mëngjarashët janë parë gjithnjë si të veçantë dhe të shumta kanë qenë teoritë për shkakun e prirjes së tyre. Disa dekada më parë, ka pasur një hipotezë se stresi që përjeton nëna gjatë shtatzënisë përcakton nëse fëmija do të përdorë më shumë të djathtën apo të majtën.
Por me kalimin e viteve, studiuesit zbuluan se e vetmja e vërtetë në këtë hipotezë ishte fakti se prirja përcaktohet që para lindjes. Gjithçka nis në javën e 13-të të shtatzënisë, kur bebja fillon të afrojë gishtin drejt gojës. Sipas studimit të kryer në Universitetin e Ruhr-it në Gjermani, veprimtaria e gjeneve në kurrizin e palcës është asimetrike në mitër dhe ky mund të jetë shkaku se pse një person zgjedh të përdorë më shumë njërën dorë se tjetrën. Sinjali për lëvizjen e dorës lind në tru, përcillet përmes palcës kurrizore dhe përkthehet në lëvizje. Por për shkak të natyrës asimetrike të palcës, përparësi në përdorim merr më shumë njëra anë e gjymtyrëve.



