Disa persona janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut të shtunën, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës. Aksioni vjen pas shpërthimit në Ibër-Lepenc.
Nuk dihet nëse të dyshuarit kanë lidhje me ngjarjen, që u konsiderua nga autoritetet vendase si “akt terrorist”.
Mediat e Kosovës bëjnë po ashtu me dije se Policia ka konfiskuar materiale të ndryshme. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë sot në terren, në vendin ku ndodhi shpërthimi, së bashku me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla.
Kurti u shpreh se Kosova është e vendosur dhe e përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. "Policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës", ka thënë Kurti.



