Trupi i pajetë i publicistit të ndjerë Andrea Stefani pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e të martë. Trupi do vendoset për homazhe në mjediset e TVSH-së përpara se të përcillet në banesën e fundit shkruan “Dita”. Analisti i njohur Andrea Stefani u nda nga jeta të shtunën. Ai vuante prej disa muajsh nga tumori në stomak. Për fat të keq, kimioterapia nuk dha efektet e pritshme.
Ndërhyrja kirurgjikale rezultoi fatale. Ai nuk dëshironte që sëmundja e tij të bëhej publike dhe vazhdimisht qetësonte ata pak miq që e dinin duke u thënë që ishte diçka e lehtë që po kalonte dhe se kurimi po ecte mirë. Andrea pas pak ditësh festonte 58-vjetorin. Ai ka lindur në 8 dhjetor të vitit 1958. Andrea la pas bashkëshorten e tij, Enkeledën, dhe dy fëmijë, Danielin, 15 vjeç, dhe Stefaninë, 12 vjeç.



