
Psikologia Nereida Llaha e ftuar në emisionin "MCN Informacion", deklaroi se stresi në ambientet e punës në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur nivele të tejskajshme.
Sipas Llahës, shkaqet kryesore të stresit ndahen në faktorë personalë si aftësia për t'u përshtatur dhe komunikimi dhe faktorë mjedisorë, që lidhen me kushtet e punës dhe cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet kolegëve.

Ajo paralajmëroi se pa masa konkrete për përmirësimin e klimës në punë, stresi do të vazhdojë të përkeqësohet.
“Unë fillimisht mendoj që stresi në ambientet e punës, pavarësisht nëse je shqiptar ose jo, është një nga faktorët stresantë që gjithë globalizmi po haset. Nëse të ndaleshim tek Shqipëria, mendoj që vitet e fundit ka një rritje të nivelit të stresit. Jo se nuk ka ekzistuar stresi në punë, por ka qenë i formave të ndryshme të arsyeve të ndryshme, kurse sot duket se është për një pikë shumë e fortë, që do vazhdojë pastaj vazhdën e shqetësimeve të reflektuara në ambiente të tjera, që të mbyllet në një rreth vicioz.
Dhe në fund fare do kemi atë analizën që po stresi në punë në Shqipëri te shqiptarët është në nivele të tejskajshme.
Nëse do ndaleshim tek arsyet pse stresi në punë të shqiptarit përjetohet në këto shifra, unë do doja ta nisja me ato parimet bazë që janë universale të arsyeve, sepse ne përjetojmë stres në punë.
Janë dy pjesë kryesore. Së pari, kemi faktorin personal dhe faktorin mjedisor. Kur ndalemi apo referohemi faktorit personal, kemi të bëjmë me ato tiparet tona të personalitetit që kanë të bëjnë me aftësi përshtatëse, që kanë të bëjnë me aftësinë komunikative, që kanë të bëjnë me fleksibilitetin.
Dhe bashkëngjitur paralelisht me këtë, kemi faktorin mjedisor. Mjedisi i punës, përveç kushteve. Klimat, si mund ta quajmë, të temperaturave, të ndriçimit, të ngrohjes, të ftohjes, që është një faktor shumë ndikues ka të bëjë edhe me anën tjetër, që është ana njerëzore, që ka të bëjë me cilësinë e klimës në punë. Cilësia e klimës në punë përfshin të gjithë nivelin, ose të themi, cilësinë e marrëdhënieve mes kolegëve.
Përfshin llojin e drejtuesit apo lidershipit, përfshin aftësitë përshtatëse, siç e përmendëm edhe më parë, përfshin në përzierjen ose mosndarjen e detyrave apo organizimit të punës. Pra janë një sërë faktorësh që ndikojnë drejtpërdrejt në arritjen e nivelit."



