Kreu i Bashkisë së Durrësit ka reaguar ndaj protestës që deputetë dhe anëtarë të Partisë Demokratike zhvilluan sot para institucionit që ai drejton. Pas protestës së demokratëve, të cilët kërkuan largimin e Dakos me arsyetimin se ka bërë të mundur lirimin nga burgu të kreut të bandës së Durrësit, kryebashkiaku përmes një deklarate për mediat e ka cilësuar këtë përpjekjen e radhës së SHQUP-it, për falsifikimin e një historie që nuk ka lidhje me të.
“E ndoqa me keqardhje përpjekjen e sotme të Shqupit për të vazhduar falsifikimin publik të një historie që s’ka asnjë lidhje me mua. Unë jam kryetar bashkie dhe bëj vetëm detyrën time, me ndershmëri e pasion politik për qytetin tim dhe këtë qytetarët e Durrësit e dinë aq mirë sa më kanë vlerësuar me votën e tyre në rritje tre herë rresht. Detyrën për të dënuar apo liruar njerëzit nga burgu e kanë gjykatësit dhe gjykatat e Shqipërisë. Këtë edhe trimat e Shqupit e dinë shumë mirë, por trimëria e tyre është vetëm për të sharë, shpifur dhe falsifikuar të vertetën, jo për të denoncuar gjykatësit e korruptuar që janë edhe aleatët me të zellshëm të Shqupit”, tha Dako.
Kryebashkiaku i Durrësit shprehet se përgjigjen për kërkesën e demokratëve do ta marrin në zgjedhjet e qershorit.
“Në vend që të shkojnë të protestojnë tek Gjykata Kushtetuese për të nxjerrë pa humbur kohë vendimin për Vetingun, trimat e Shqupit vijnë si një çetë e shpartalluar përpara bashkisë për të hedhur baltë mbi mua. Por balta e tyre vetëm më nderon dhe më motivon më shumë në betejën tonë me ta. Ne jemi e ardhmja, ata janë vetëm e shkuara. Le të vazhdojnë se qershori po vjen dhe Durrësi do ta japë përsëri përgjigjen për kërkesën e tyre të papranueshme për t’u rikthyer në pushtet pasi rrënuan Shqipërinë”, shprehet ai.



