
Dy burra, përfshirë një fotoreporter, janë qëlluar dhe plagosur nga një senator në Haiti, i cili hapi zjarr jashtë parlamentit të vendit, mes skenave kaotike të protestuesve të shumtë, ndërkohë që qeveria po përpiqej të konfirmonte emërimin e kryeministrit të ri, në kryeqytetin e vendit, Port-au-Prince.
Burrat e plagosur janë Chery Dieu-Nalio, një fotograf i “Associated Press”, i cili u plagos në fytyrë dhe Leon Leblanc, roje sigurie dhe shofer.
Mjekët raportojnë se plagët janë shkaktuar nga copëza plumbash dhe se nuk janë kërcënuese për jetën.
Para se të largohej nga skena, Leblanc u tha gazetarëve se kishte parë Jean Marie Ralph Féthière, një senator nga veriu i vendit, të qëllonte me armë zjarri dhe të përpiqej të largohej me turmën e protestuesve.
Një tjetër senator, Patrice Dumont, tha se Féthière paralajmëroi turmën se do të qëllonte nëse nuk e linin të ikte.
Féthière më vonë justifikoi veprimet e tij, duke thënë: "Unë u sulmova nga grupe të militantëve të dhunshëm. Ata u përpoqën të më nxirrnin nga automjeti im. Dhe kështu mbroja veten. Vetëmbrojtja është një e drejtë e shenjtë.”
Ai tha se nuk e dinte që një gazetar ishte i pranishëm, edhe pse Dieu-Nalio kishte veshur një helmetë dhe xhaketë të mbishkruar me fjalën "Press".
Incidenti erdhi ndërsa senati haitian u përpoq të takohej për herë të dytë në dy ditë për të konfirmuar emërimin e kryeministrit të ri, Fritz-William Michel.
Haiti ka më se një javë që është përfshirë në demonstrata kundër presidentit të vendit Jovenel Moïse dhe qeverisë. Zemërimi sa vjen e rritet për mungesën e karburantit dhe rritjen e kostos së jetës.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët, duke përdorur pemë, shkëmbinj, goma djegëse dhe automjete. /The Guardian/



