Pacientët që po përballen në spitale me Covid-19 nuk kanë marrë asistencë psikologjike. Në një lidhje Skype me studion e lajmeve, kryetarja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, tha se ky shërbim u është dhënë vetëm pacientëve që janë trajtuar në shtëpi.
“U është dhënë shërbim të prekurve që trajtohen pranë familjeve. Nuk është dhënë shërbim i drejtpërdrejtë për pacientë që trajtohen në spitalet Covid 1 dhe Covid 2”, tha Treska.
Sa u takon dy rasteve të vetëvrasjeve në Spitalin Covid 2, Treska tha se ato mund të parandaloheshin.
“Mund të parandaloheshin, mundet edhe që këta dy persona të kishin probleme të shëndetit mendor edhe më parë. Këtë do ta thonë specialistët. Është vërtetuar që Covid prek edhe sistemin nervor të individit. Mundet që gjendja të jetë ndikuar edhe për shkak të pasojave të Covid-it”, tha ajo.
Treska tha më tej se sa i takon këtij shërbimi, nuk ka ende një protokoll se si do të ofrohet.
“Edhe në botë nuk ka një trajtim të qartë dhe një protokoll pune për këtë situatë të re. Edhe ministria po merr masat për të ofruar shërbim psikologjik. Ne duhet t’i rrisim kapacitetet e psikologëve në spitale, sepse është më e nevojshme se kurrë”, tha ajo.



