Lewis Hamilton ka dhënë shenja se do të përsëris edhe këtë sezon fitimin e titullit kampion. Kjo pasi britaniku ditën e sotme nuk e ka diskutuar fitoren në Çmimin e Madh të Hungarisë, teksa ka lënë pas me 8 sekonda pilotin e Red Bull Max Verstappen.
Në podium ndërkohë është ngjitur edhe piloti tjetër i Mercedes Valteri Bottas, i cili fitoi garën e parë të këtij sezoni të pazakontë të Formula 1.
Edhe në Hungari, që është Çmimi i Madh i tretë për Formula 1 këtë sezon, Ferrari ka zhgënjyer sërish. Sebastian Vettel e ka mbyllur garën në vendin e shtatë, ndërsa akoma më keq ka rezultuar piloti tjetër i kokëkuqes Charles LeClerk, që u rendit në vendin e 11. Edhe pse këtë sezon kishte shpresa për një sezon konkurues duket se Ferrari është shumë larg pretendimeve të saj.
Renditjen e përgjithshme e udhëheq Lewis Hamilton me 63 pikë, 5 më shumë se shoku i skuadrës Valteri Botas, ndërsa vendin e tretë e mban Max Versttapen me 33 pikë.



