Me fillimin e masave të reja shtrënguese antiCovid, më së shumti preken bizneset në vend, të cilat në një masë të madhe nuk arrijnë të nxjerrin të ardhura, për shkak të mbylljes në orët e natës. Në një lidhje Skype me edicionin e lajmeve në TvT, Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël e të Mesëm për Shqipërinë, shprehet se edhe në mbylljen e parë, qeveria nuk ndihmoi me një paketë ndimëse, ashtu siç e meritonin bizneset, sikurse dhe tani, që nuk ka prezantuar fare paketën ndihmëse.
“Kemi propozuar që më 9 tetor, propozim me 10 pika, një ka qenë që na duhen 200-400 milion euro për të dalë nga kjo situatë, nuk shohim paketë ndihmëse, lehtësira fiskale, sepse të gjithë që janë mbyllur, kanë prezantuar bizneset dhe të gjitha kanë siguruar paketën se sa do i marrin, siç kanë bërë të gjitha vendet në botë, edhe vendet e rajonit. Ne nuk shohim transparencë, as në mbylljen e parë dhe as tani, sepse pjesa më e madhe janë restoranet, kafenetë, bujtina, hotele, që funksionojnë në vend, p.sh. qeveria i ka lejuar të punojnë, por i ka ndaluar që të shkojnë të flejnë aty, ato nuk po krijojnë aktivitet. Jemi vendi i vetëm në rajon, që s'ka dhënë asnjë fitim bruto, ne jemi shumë larg vendeve fqinje, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kur ato kanë dhënë 110 milion euro ndihmë në karantinën e parë".
Nasto thotë se në mbylljen e parë janë mbyllur 40 mijë biznese dhe nuk është e largët dita të mbyllen sërish nga mosndihma e qeverisë për këto biznese.
“Ato që e dha qeveria në mbylljen e parë ishte mëshirë, u mbyllën 40 mijë biznese nga mbyllja e parë, 125 mijë ish-të punësuar ngelën në rrugë. Mbyllja tjetër që do të bëhet tani, nuk ka ende asnjë paketë treguese nga qeveria se sa do të ndihmohen bizneset. Ne kërkojmë si shoqatë që nesër të dalë qeveria e të na tregojë planin konkret, se sa do të jetë dëmshpërblimi dhe ndihma për biznesin, ne nuk shohim paketë ndihme, ne po mbetemi në mëshirë të fatit, duam shkoqur dhe saktë të na tregojë se ku është paketa për biznesin, pse nuk tregohet më herët, nuk ka transparencë fare, qeveria nuk do të ndihmojë biznesin dhe e ka lënë atë në mëshirë të fatit, dhe kjo do të jetë një kaos për biznesin”.



