Deputeti Ben Blushi ka shprehur shqetësimin për rritjen e borxhit publik. Kreu i partisë së re, Libra, akuzoi qeverinë se një huaprej 1 miliardë e gjysmë eurosh e ka përdorur për luks.
“Në tre vitet e fundit kam folur shpesh për rritjen e borxhit publik. Qeveria ka marrë shumë borxhe për arsye të papërligjura. Deri më sot asnjëherë nuk është bërë e ditur, se ku kanë shkuar afro 1 miliard e gjysëm euro që janë marrë hua. Kryesisht janë kthyer në zyra, mobilje, tapiceri, pllaka, fasada, stadiume, pishina, kulla dhe luks primitiv”, shkruan Blushi në rrjetet sociale.
Blushi shprehet se çdo qytetar paguan më shumë borxh se para 3 vitesh.
“Secili prej nesh sot paguan me shumë borxh se tre vjet më parë. Nëse në vitin 2013 çdo shqiptar e kishte pjesën e vet të borxhit 2148 euro, sot e ka 2630 euro. Kjo do të thotë se në tre vjet secilit i është rritur borxhi me 482 euro. Natyrisht rritja e pagave dhe pensioneve nuk është 482 euro për frymë. Ky është bilanci ekonomik i Rilindjes. Me para borxh blejmë manikyrin para sapunit. Edhe një fëmijë që lind sot duhet te paguajë 482 euro për manikyrin e Rilindjes!”, shkruan ai.



