Akropoli në Athinë është mbyllur gjatë orëve më të nxehta të ditës për të mbrojtur vizitorët nga një valë e fortë të nxehti që ka përfshirë vendin. Turistëve iu ndalua hyrja në atraksionin më të njohur të vendit nga ora 12:00 deri në 17:00. Athina është përfshirë nga temperatura që i kalojnë 40 gradë Celcius. Pjesa më e madhe e Evropës Jugore po përjeton nxehtësi ekstreme, ndërkohë që është paralajmëruar që temperatura rekord priten javën e ardhshme. Në Greqi ekziston frika dhe për shpërthim të zjarreve, veçanërisht në zonat me erëra të forta. Në Kroaci, zjarret shpërthyen të enjten, duke djegur shtëpi dhe makina në të paktën një fshat, Grebastica, në bregdetin dalmat. Zyrtarët thanë për TV kroat të premten në mëngjes se zjarri ishte vënë nën kontroll. Në fillim të kësaj jave, një burrë rreth të dyzetave vdiq nga i nxehti pasi u rrëzua në Italinë veriore, ndërsa disa vizitorë në gadishull janë rrëzuar nga goditja e nxehtësisë. Valët e të nxehtit po shihen gjithashtu në disa pjesë të SHBA-së, Kinës, Afrikës së Veriut dhe Japonisë.



