Ndërron jetë pacienti i tretë i prekur nga Covid-19. Viktima e tretë është një 71-vjeçar, i cili vuante nga kanceri dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Pacienti humbi jetën sot në Spitalin Infektiv.
“Mjekët tanë bënë të pamundurën në këtë luftë për jetën, por komplikacionet e shkaktuara nga një seri sëmundjesh e bënë të pamundur mbajtjen në jetë të pacientit 71-vjeçar”, shkroi ministrja Manastirliu.
Rasti në fjalë e çon në tre numrin e pacientëve që kanë humbur jetën deri tani për shkak të koronavirusit. Ndërkohë, zyrtarisht janë tre të shëruar dhe 89 të infektuar.
Këtyre të fundit u shtohen edhe 4 raste të reja që janë verifikuar sot pasdite në Vlorë, por nuk janë reflektuar ende në shifrat e ISHP-së.



