Tre të rinj, dy nga Florida dhe një nga Britania e Madhe, po përballen me akuza për sulmin e fundit kibernetik që vuri në shënjestër më shumë se 100 llogari në Twitter, përfshirë llogari të shumta të profileve të larta.
Graham Ivan Clark, 17 vjeç, u arrestua sot dhe ndaj tij janë ngritur 30 akuza.
Ai besohet të jetë ideator i sulmit që arriti të fitojë akses në shumë llogari në Twitter, përfshirë ato të ish-presidentit amerikan Barack Obama, kandidatit për president të SHBA Joe Biden, miliarderëve Bill Gates, Jeff Bezos dhe Elon Musk, reperit Kanye West dhe gruas së tij, Kim Kardashian.
Ai më pas postoi mesazhe në Twitter nga shumë llogari, me qëllimin që të dyfishoheshin donacionet e Bitcoin të dërguara në një adresë të bashkangjitur.
Clark ia doli të mblidhet më shumë se 100 mijë dollarë në Bitcoin vetëm në një ditë.
Departamenti amerikan i Drejtësisë tha që dy persona u akuzuan për rolet e tyre në mashtrim. Ata u identifikuan si Mason Sheppard, me pseudonimin "Chaewon", 19 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe Nima Fazeli, me pseudonimin "Rolex", 22 vjeç, nga Orlando, Florida. Shappard u akuzua për "komplot për të kryer mashtrim, komplot për të bërë pastrim parash dhe për akses të qëllimshëm të një kompjuteri të mbrojtur" ndërsa Fazeli u akuzua për "ndihmë në aksesin e qëllimshëm të një kompjuteri të mbrojtur".



