
Rëndohet bilanci i viktimave pas përplasjeve që ndodhën dje në Kongresin Amerikan, ku u futën mbështetësit e Donald Trump. Përveç gruas së vrarë nga të shtënat me armë nga një agjent i Capitol, tre persona të tjerë vdiqën për shkak të komplikacioneve shëndetësore. Viktima e parë është Ashley Babbit dhe është qëlluar nga policia.
Shefi i policisë së Uashingtonit tha se lidhur me rastin ka nisur një hetim. Gruaja u qëllua nga një oficer policie me uniformë të Capitol Hill me armën e shërbimit.
13 persona u plagosën dhe 52 persona u arrestuan, shumica për shkelje të shtetrrethimit.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Uashingtonit ka zgjatur emergjencën për 15 ditë të tjera, deri më 21 janar, një ditë pas inaugurimit të Joe Biden, një tubim që ngjall frikën për tensione të reja të forta. Kongresi është mbledhur sërish dhe i po shqyrton dhe numëron certifikatat e votimit të Kolegjit Elektoral shtet për shtet.

Trazirat në Capitol, nisin dorëheqjet në Shtëpinë e Bardhë
Situata e paprecedent që u krijua dje në SHBA, ku mbështetës të Trump hynë me dhunë në Kongres, po bëhet shkak për një zinxhir dorëheqjesh.
Matt Pottinger, zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare, është zyrtari i fundit i Trump që ka dhënë dorëheqjen.
Bloomberg News, duke cituar burime pranë Pottinger, thotë se ai ishte "i tronditur nga sulmi në Capitol dhe nxitja e protestuesve nga Trump", ndërsa burimet thanë për CNN se Pottinger është shprehur se "ka shumë pak për të marrë në konsideratë".
Shumë anëtarë të tjerë të stafit të Shtëpisë së Bardhë gjithashtu dhanë dorëheqjen pas kaosit të ditës.
Midis atyre që u larguan më herët janë zëvendëssekretarja e Shtypit, Sarah Matthews, shefja e stafit të Zonjës së Parë Melania Trump, Stephanie Grisham dhe sekretari social i Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta.
Një mënyrë për të larguar Trump, çfarë parashikon amendamenti 25
Pas asaj që ndodhi dje në Uashington, është ngritur hipoteza e vënies në zbatim të amendamentit 25, për largimin e presidentit, pavarësisht se zyrtarisht kjo ide nuk i është transmetuar ende zëvendëspresidentit Mike Pence. Amendamenti 25 i Kushtetutës parashikon që zv.presidenti të marrë pushtetin në rast se presidenti vdes, jep dorëheqjen ose hiqet nga posti. Disa liderë republikanë janë dakord me këtë opsion.
Ndërkohë, Trump, i cili me anë të një videoje iu drejtua dje mbështetësve, të cilëve u kërkoi të kthehen në shtëpi, u pezullua përkohësisht nga mediat kryesore sociale, Tuitter, Facebook dhe Instagram.

Sulmi në Kongresin Amerikan u dënua nga liderët e gjithë botës. Ish-Presidenti Obama e cilësoi "çnderim dhe turp të madh" për Shtetet e Bashkuara por jo "një diçka që nuk pritej". Dhuna, tha ai, është "nxitur nga një president, i cili vazhdon të gënjejë për rezultatin e zgjedhjeve". "Dhuna është e papajtueshme me ushtrimin e të drejtave politike dhe lirive demokratike", tha kryeministrit italian, Giuseppe Conte. Sulmin e dënuan edhe të gjithë liderët evropianë, nga Macron te von der Leyen dhe Johnson.
Trump: Do të ketë tranzicion të lehtë pushteti
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot se do të ketë tranzicion të rregullt kur Joe Biden të inagurohet si president më 20 janar.
"Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, do të ketë tranzicion të rregullt në 20 janar," tha Trump në një deklaratë të postuar në Tuiter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.
Deklarata e Trumpit vjen pasi Kongresi certifikoi mbi 270 vota të Kolegjit Elektoral për Biden si president i ri i Amerikës.
Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor. Ai pasohet nga inaugurimi i presidentit të ri, një ceremoni e parashikuar të mbahet më 20 janar.



