
Situata me zjarret në vend, nxori në pah pas përgjegjësive të pushtetit qendror edhe përgjegjësitë e pushtetit vendor, të cilët sipas kryetarit të Shoqatës së Bashkive dhe ekspertit të pushtetit vendor, Agron Haxhimali, me gjithë përpjekjet, lanë shumë për të dëshiruar.
I ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV, Haxhimali, tha se për të mos ardhur deri te kjo situatë do të duhej të punohej përgjatë dhjetë muajve të vitit, për të pasur siguri në këto muaj vere.
“Sa jemi të organizuar për të përballuar situata të tilla jam kritik, se sistemi zinxhir në të gjitha institucionet nuk ka funksionuar mirë, e them me keqardhje, pasi janë bërë disa reforma.
Ato janë përpjekur ta shfrytëzojnë por ka shumë pak rezultate, përpjekje për ta ndaluar, por harrojnë që masat, hapat që duhet ndërmerren, janë gjë tjetër, duhet të punohet në parandalim, në vizion, për të ndërhyrë në kohë, duhet të punohet 10 muaj të vitit, për të pasur siguri në dy muaj vere. Kanë punuar, janë përpjekur dhe fakti se kanë rezultate të tilla është fatkeqësi e madhe”.
Pyetjes se ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka deklaruar se tani është përgjegjësi e pushtetit vendor të menaxhojë situatën e zjarreve, Haxhimali, thotë se ministri ka përdorur propagandën dhe do të duhej t'i linte më shumë hapësirë menaxhuese bashkive, por në të njëjtën kohë, të 61 bashkitë kanë një ndarje buxhetore qesharake, për të përballuar dukurinë e zjarreve.
“Ministri e ka thënë drejtë, menaxhimi i Mbrojtjes Civile është kompetencë e bashkive, por ministri duket se ka harruar se sa para u ka dhënë 61 bashkive për zjarret, është 1.22.539 mije lekë të reja, një shumë qesharake për të përballuar ketë dukuri. Ministri përpiqet të jetë si influencues i fikjes në këto vatra zjarri, ministri shkon dhe të bën propagandë dhe të thuash se ne e fikim, por lejoju bashkive, edhe kryetarët e bashkive duhet t'i dalin përballë situatës, këtu është futur edhe ngërçi i bashkive, shumicë socialiste. Pesha që zë pushteti qendror i jep presion mbytës pushtetit vendor”.
Kryetari i Shoqatës së Bashkive Argon Haxhimali, thotë se të 61 bashkitë në vend, kanë nevojë për të përballuar situata të tilla emergjente me teknologji të reja, dhe se nuk mund të përballojnë luftën me zjarrin ende me metoda primitive, me lopatë e kova.



