
Viti akademik 2022-2023 ka nisur sot mes protestave dhe bojkotit në Shqipëri.
Shkak për këtë është bërë vendimi i sindikatës së punonjësve të universiteteve për bojkot të vitit të ri akademik.
Ata kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.
Ndërkaq, në fakultete pritet që sot t’u jepet mirë se ardhja studentëve të viteve të para dhe më pas do të vijojë protesta dhe bojkoti i orëve të mësimit.
Nuk do të jetë një bojkot i zakonshëm i të gjithë mësimit, por në vetëm dy orë në çdo ditë të javës.
Ditën e hënë, nga ora 8 deri në 10, do të bëhet prezantimi i studentëve të rinj nëpër fakultete në gjithë universitetet e vendit. Pas orës 10, sindikatat do t’u shpjegojnë studentëve pse lëvizja jonë është lëvizja e tyre.
Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin e tyre, prindërve të tyre dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm”, deklaroi profesori Aleksandër Kovaçi.
I vetmi universitet publik, i cili do të vijojë normalisht mësimi do të jetë ai i Mjekësisë.
Protesta e sotme do të jetë e katërta e pedagogëve për një trajtim dinjitoz. Ata nuk mjaftohen me rritjen e papërfillshme prej 7% nga buxheti i shtetit, teksa shtojnë se pjesën tjetër, 8% nga ana e universiteteve buxheti i të cilave varet në masë dërrmuese nga tarifat e studentëve, nuk e konsiderojnë.
Në krah të tyre kanë tanimë edhe studentët, të cilët janë shprehur hapur pro kauzës së tyre, në pritje të një përgjigjeje që nuk erdhi kurrë nga qeveria për një mbështetje prej 100 eurosh për çdo student.
Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.



