Duhet të vendoset domosdoshmërisht një masë shtrënguese dhe ndaluese, pasi ka rrezik. Prania e tij në atë vend pune, vë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provave, prishjen e tyre për shkak të rrethanave dhe personalitetit që ka dhe mund të kryejë të njëjtin krim, ose më rëndë së ky.
Kjo është kërkesa e prokurorit Dritan Nushi drejtuar Gjykatës së Tiranës për Mirdaim Axhamin, shefin e Departamentit në Fakultetin e Ekonomikut në Universitetin e Tiranës.

Nga mbledhja e provave dhe hetimi i kryer nga prokuroria, bazuar dhe në dëshmitë e dhëna nga pedagogia Liljana Billa, Mirdaim Axhami, senatori i studentëve Elion Mulgeci dhe dekani i fakultetit Dhori Kule, organi i akuzës ka ngritur akuzën për kryerjen e veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën, funksionin…, bazuar në nenin 237/5 i Kodit Penal dhe “Vetëgjyqsisë” sipas nenit 227.
MCN Tv, ka sigurar një pjesë të dosjes në të cilën zbulohet si nisi konflikti mes Axhamit dhe Billës.
Pedagoge prej 35 vitesh, Liliana Billa me datë 5 korrik kishte provim në lëndën “Kërkimi i Aplikuar Master Shkencor”. Të shtunën e kaluar, referuar dosjes, Billës i ka ardhur një e-mail nga Axhami, ku ky i fundit i kërkon t’i dërgojë materialet pasi ai do caktonte një komision për të bërë tezën e provimit, duke qenë se pedagogia kishte marrë leje për shkak se e ëma ishte sëmurë.
Sipas deklarimeve të Billës, ajo i ka thënë se do shkojë vetë në fakultet për të firmosur tezën e provimeve dhe ditën që ka shkuar është ngjitur në zyrën e Mirdaim Axhamit dhe i ka kërkuar që dhe ai të hedhë firmën e vet.
Shefi i Departamentit ka refuzuar të firmosë me argumentin se teza duhet të studiohet, një procedurë kjo që shkel rregulloren, siç shprehet Billa.
Këtë shqetësim Billa ia adresoi dekanit, i cili e këshilloi atë të përgatisë një tezë të re, procedurë që Liljana Billa e kreu dhe madje studentët iu nënshtruan provimit.
Hetimi i prokurorisë tregon se në momentin që po zhvillohej provimi, Axhami konstatoi një gjë të tillë dhe i kërkoi llogari Billës që përse po bëhet teza pa firmën e tij.
Ky i fundit madje e ka kërcënuar duke i thënë “Siç e hodhe në plehra tezën, ashtu do të hedh dhe unë ty në plehra” dhe e dhunoi fizikisht duke e goditur disa herë me grusht ne fytyrë, konkretisht në sy, ku dallohej shenja e dhunës.
Pedagoge Liliana Billa ka rënë në dysheme pas goditjes dhe në tentativë për të ngritur telefonin, ka marrë një tjetër goditje nga Axhami, i cili i theu thonjtë duke i tërhequr celularin me forcë nga duart dhe pas këtij momenti është larguar me vrap nga korridori i fakultetit.
Në deklarimet e dhëna, Billa shprehet se ra pa ndjenja për shkak te goditjes së fortë dhe ajo e akuzon Axhamin se e ka goditur për arsye të përfitimit monetar, marrë shkas dhe nga këmbëngulja e tij që të studionte tezën paraprakisht.
Prokuroria nuk ka mundur ende të disponojë raportin mjeko-ligjor të Liljana Billës, por nisur nga këqyrja e jashtme, e dokumentuar me proces verbal dhe fotografi, në pjesën e djathtë të fytyrës vërehen disa gërvishtje me skuqje dhe syri i djathtë i dëmtuar si dhe gërvishtje me njolla gjaku.
Në deklarimin e tij, Axhami është shprehur se në momentin që ka parë Billën ulur në karrige në korridorin e fakultetit, e ka pyetur se përse po e bën tezën të pa miratuar nga përgjegjësi i departamentit dhe se kjo e fundit ka ngritur telefonin për ta filmuar.
43 vjeçari shton se ai tentoi të pengojë filmimin, por Billa e ka sulmuar duke e gërvishtur në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë në gisht dhe se ajo u rrëzua nga forca e tërheqjes dhe gravitetit.
Nga këqyrja e jashtme e trupit të Axhamit është konstatuar se në pjesën e parakrahut të djathtë, ka disa gërvishtje me skuqje si dhe në pjesën e majtë të shpatullës ka të njëjtat gërvishtje si dhe te gishti i madh i dorës së djathtë, një të çarë me njollë gjaku.



