
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përmes një letre drejtuar, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi kërkon që Kuvendi në mbledhjen e kësaj jave të diskutojë në lidhje me vendimin e Presidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Balla e konsideron vendimin absolutisht të pavlefshëm dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe propozon një mocion me debat për shkarkimin e Presidentit.
Procedurat për shkarkimin e presidentit mund të nisin me kërkesën e 1/4 së deputetëve të Parlamentit, ndërsa vendimi për shkarkimin kërkon 93 vota.
Kjo e detyron PS-në të kërkojë ndihmën e partive opozitare në Parlament, pra deputetëve të rinj.
Këta të fundit e kanë kushtëzuar votën pro për shkarkimin e Metës me një marrëveshje për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Basha: Nuk ka as zgjedhje, as shkarkim presidenti
Kreu i PD-së është i bindur se nuk do të mbahen zgjedhje më 30 qershor dhe as shkarkim të presidentit. Në një dalje para mediave pasditen e sotme, Basha tha se me këto të dy lëvizje, kryeministri po kërkon të shpëqendrojë vëmendjen e opinionit.
“Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese ndaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime: Nuk do të ketë zgjedhje lokale, nuk do ta shkarkojë kush Presidentin. Rama po përpiqet ta bombardojë opinionin me dy përbetime që nuk i mban dot e as ka interes t’i mbajë. Përbetohet se do mbajë zgjedhje e do shkarkojë Presidentin janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj”, tha Basha.
Sipas kreut të PD-së, Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit.
Basha la të kuptohet se opozita nuk do të pranojë asnjë marrëveshje pa largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Në demokraci, zgjedhjet janë instrumenti se si njerëzit zgjedhin qeverinë dhe qeverisjen që duan. Zgjedhjet janë mekanizmi se si vullneti i njerëzve përkthehet në institucionet qeverisëse. Por ama, është e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik”, tha ai.



