
Partia Demokratike pritet të miratojë në mbledhjen e mesditës kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të verifikojë ligjshmërinë e akteve të Kuvendit dhe qeverisë dhe efektet e ndërhyrjeve të këtyre dy pushteteve te hetimi ndaj Saimir Tahirit.
Sipas PD-së, tre çështjet kryesore që do të shqyrtojë ky komision hetimor janë: 1. Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit të Kuvendit për të mos lejuar arrestimin e Tahirit. 2. Veprimet e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë në pengimin apo intimidimin e prokurorisë për të hetuar Tahirin në mënyrë të pavarur. 3. Ligjshmëria e ekstradimit të Nezar Seitit si person nën hetim për të njëjtën çështje si Tahiri dhe efektet që sjell ekstradimi i tij për ish-ministrin e Brendshëm.
PD e ka akzuar prej kohësh qeverinë dhe kryeministrin Rama në lidhje me çështjen e Tahirit. Demokratët e kanë akuzuar Ramën se duke mbrojtur Tahirin, përpiqet të mbrojë përfshirjen në trafikun e drogës.



