Vijojnë protestat kundër qeverisë së Netanyahut në Izrael, e cila miratoi dje një nga pikat kyçe të reformës së kontestuar në drejtësi, e cila i pengon gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të rrëzojnë vendimet dhe emërimet e qeverisë dhe të ministrave individualë me arsyetimin se janë të paarsyeshme. Mbrëmjen e djeshme në Tel Aviv, mijëra protestues marshuan në autostradën kryesore, Ayalon, duke bllokuar trafikun. Policia përdori ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa mediat e huaja raportojnë se pati përleshje dhe barrikada. Sipas raportimeve bëhet me dije se 34 persona janë arrestuar gjatë protestave, nga të cilat 15 vetëm në Tel Aviv. Të paktën 4 oficerë dyshohet se u plagosën dhe tre demonstrues pësuan lëndime të lehta pasi një furgon u përplas në marshimin në një periferi të qytetit.



