Analisti Florian Nesimi thotë se fitorja e VMRO-DPMNE në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ishte e pritshme.
Ai deklaroi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se në Kërçovë nuk fitoi VMRO-DPMNE, por dështoi kandidati shqiptar, për shkak të regjistrimeve që u publikuan ndaj tij, duke u përfshirë në skandal.
Fitorja e VMRO-DPMNE ka qenë e pritshme, pasi para një viti e katër muaj korri fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare.
Edhe pse ka një rënie me 100 mijë vota, përsëri arriti të fitojë numrin më të madh të komunave, ku nga 80 fitoi 56 komuna, përfshirë dhe Shkupin.
Periudha prej një vit e gjysmë është e shkurtër që popullata të krijojë mllef ndaj qeverisë, dhe opozita nuk ka arritur të rimëkëmbet.
Ky është një moment shumë i vështirë për opozitën maqedonase, pasi zgjedhjet lokale erdhën shumë shpejt. LSDM nuk arriti të riformojë aspak partinë, zgjodhi si kryetar një person që vinte nga një strukturë e korruptuar.
Kryetari i tanishëm i LSDM, kishte qenë ministër i Shëndetësisë në qeverisjen e kaluar dhe kishte qenë i përfshirë në shumë skandale korruptive.
Ndërsa Kërçova nga viti 2013 e këtej ka qenë një komunë ku ka triumfuar kandidati shqiptar. Tentativa e VMRO për të rikthyer Kërçovën, është pjesë e retorikës.
Kandidati shqiptar që hyri në balotazh u përfshi në disa skandale që doli me inçizime që kishte keqpërdorur zyrën e tij me veprime amorale.
Në Kërçovë nuk fitoi VMRO-DPMNE, por dështoi kandidati shqiptar.



