
Pavarësisht se PD nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë për regjistrimin në zgjedhje, selia e PD-së ka dalë sot me një deklaratë në lidhje me 13 tetorin, datën e dekretuar nga Presidenti si dita e zgjedhjeve lokale në Shqipëri.
PD ka paralajmëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se e ka për detyrë ligjore e kushtetuese që të përgatisë zgjedhjet e 13 tetorit.
DEKLARATË E PD
I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje.
Me moszbatimin e Dekretit të Presidentit, KQZ vazhdon t’i shërbejë pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Refuzimi i KQZ për të zbatuar Kushtetutën rikonfirmon se Edi Rama kontrollon në mënyrë të paligjshme atë dhe çdo institucion tjetër.
PD paralajmëron shërbëtorët dhe kamikazët e KQZ se shpejt do të mbajnë përgjegjësi penale për aktet kriminale me të cilën dhunojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.



