
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet të ketë draftin e saj të Asociacionit për ta diskutuar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Ajo shtoi se nuk do të lejohet që drafti Vuçiçit të bëhet bazë e negociatave.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiçit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”, ka thënë Osmani para gazetarëve, pas homazheve në Studime të Vushtrrisë.
“Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që është prezantuar nga ana e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjinden edhe arkivat e qindra mijëra të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot”, shtoi ajo.



