Shembulli i shqiptarëve të Maqedonisë: kur nacionalizmi nuk na shërben më

Shembulli i shqiptarëve të Maqedonisë: kur nacionalizmi nuk na shërben më

Nga Jona Koprencka

Zgjedhjet e ditës së diel në Maqedoni ishin një leksion i qartë se me nacionalizëm dhe me retorikë boshe nuk mund të shkohet asgjëkund ose në këtë rrugë është e pamundur të vazhdohet. Maqedonia një nga ish-republikat jugosllave të Ballkanit, e cila është e përfshirë në problematika të brendshme dhe të jashtme, nga këto zgjedhje legjislative ka marrë mësimin se të ashtuquajturit “të mëdhenjtë” mund të bien nga froni. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, liderët e partive më të mëdha shqiptare, u ndëshkuan nga elektorati i tyre. Në total, të pesta partitë shqiptare në këto zgjedhje do të përfaqësohen në parlament me më pak deputetë shqiptarë. Një ‘humbje’ kaq e madhe në votën shqiptare nuk ishte parë në çerek shekulli të historisë maqedonase. Lënia mënjanë e kauzës, problematikave dhe shqetësimeve social-ekonomike të shqiptarëve kanë sjellë rezultatin e zgjedhjeve së 11 dhjetorit. Nacionalizimi i treguar gjithë këto vite nga drejtuesit kryesorë të partive shqiptare, marrja e votës me argumentin se jemi shqiptarë dhe duhet të votojmë shqiptarët nuk ka rezultuar e dobishme. Votimit në bazë etnike duket se i ka ardhur fundi. Partitë shqiptare në të gjitha këto vite tranzicion maqedonas, ku përpos problemeve të jashtme, Shkupi zyrtar ka qenë më i tensionuar nga probleme të brendshme social-ekonomike dhe etnike, nuk kanë punuar për t’i treguar elektoratit të tyre dhe trupave diplomatike se shqiptarët përpos se janë një pjesë shtet-formues e Maqedonisë janë faktor stabiliteti.

Në të kundërt të një situate ku mund të fitonin jo vetëm besimin e shqiptarëve që tradicionalisht, pavarësisht çdo pakënaqësie i kanë votuar, liderët kryesor shqiptar kanë pasur në dorë rastin t’i tregonin komunitetit ndërkombëtar se janë vetë politikanët maqedonas që nuk arrijnë të sjellin progresin për vendin e tyre. Por të etur për pushtet këto parti janë bërë pjesë e aferave korruptive të Nikolla Gruevski duke i shërbyer regjimit të tij autoritar. Duke injoruar dhe mos vënë në zbatim “Marrëveshjen e Ohrit”, këto parti sa herë që janë afruar nga Gruevksi kanë mënjanuar me vetëdije kauzën e shqiptarëve të Maqedonisë, janë bërë pjesë e regjimit me dorë të hekurt. Disa nga bisedat e bëra publike me anë të përgjimeve telefonike nga lideri i opozitës Zoran Zaev, kanë nxjerrë në pah sesi të mëdhenjtë e shqiptarëve të Maqedonisë janë përfshirë në afera korruptive me përfitime personale. Të gjitha faktet e përmendura më sipër kanë akumuluar prej kohësh zhgënjimin e elektoratit shqiptar, i cili legjislaturë pas legjislature ka vënë re sesi premtimet i përkasin vetëm fushatave zgjedhore.

Në momentin e marrjes së votës asgjë nuk ndryshon. A mund të zgjaste kjo situatë, deri kur shqiptarët do të votonin në bazë etnike? Pas rezultatit të zgjedhjeve shumë kush i ka quajtur tradhtarë të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar për partitë maqedonase, ku Zoran Zaev ka qenë një nga përftuesit më të mëdhenj të votës së shqiptarëve të zhgënjyer nga partitë e tyre tradicionale. Lideri i LSDM, Zaev, ndoqi një politikë që askush nga shqiptarët nuk ka guxuar të ndërmarrë. Ai doli jashtë kontekstit etnik dhe propagandoi një fushatë gjithëpërfshirëse, ku afroi në radhët e partisë së tij shqiptarë të mirënjohur nga Shkupi dhe qytete të shumta. Zaev premtoi atë që asnjë nga të mëdhenjtë e shqiptarëve të Maqedonisë nuk kishte guxuar: dygjuhësinë. I gjithë ky investim politik u shpërblye me votë. Askush nuk tradhton askënd në momentin që besimi i dhënë mandat pas mandati nuk shpërblehet, askush nuk të tradhton kur premtimi i një politikani mbetet vetëm në kuadër të propagandës zgjedhore, askush nuk tradhton kur përgjime telefonike që nxjerrin në pah se vota e shqiptarëve vetëm sa e forcon regjimin autoritar të një diktatori që mban pushtetin me dorë të hekurt. Të mëdhenjtë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë tradhtuar vetveten, jo në këto zgjedhje, por në kohën kur u afruan për përfitime personale me pushtetin vendas dhe harruan kauzën e shqiptareve.

Nga partitë shqiptare e fituara e vërtetë e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Politike “Besa”. Kjo lëvizje që ka marrë jetë prej disa muajsh ka arritur të marrë pesë deputetë edhe pse ka qenë nën akuzat e vazhdueshme të partive të tjera shqiptare. Por vlen të theksohet se Besa është e vetmja ndër partitë shqiptare që ka në platformën e saj politike të përfshirë bashkëpunimin me Tiranën dhe Prishtinën për çështjen shqiptare. Edhe pse do të jenë më pak të përfaqësuar në parlament dhe një pjesë e mirë e votave ka shkuar në partinë e Zoran Zaev, shqiptarët e Maqedonisë arritën t’i japin një leksion të mirë politikanëve se me nacionalizëm dhe me retorikë boshe nuk mund të shkohet asgjëkund.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy