Si ndahet buxheti 2026/ Sa shkojnë për pensionet, rrugët dhe koncesionet

Si ndahet buxheti 2026/ Sa shkojnë për pensionet, rrugët dhe koncesionet

Të harruar nga politika dhe të marrë për të mirëqenë, të paktën 70% e pensionistëve në Shqipëri jetojnë me të ardhura në kufijtë e mbijetesës. Ndër vite politikat për rritjen e pensioneve janë kufizuar vetëm në indeksimin e inflacionit, duke i kthyer ata në kategorinë që kanë përfituar më pak nga rritja ekonomike e dekadës së fundit. 

 

Situata duket paradoksale nëse vendoset nëse llogaritet se pensionistët përbëjnë një të tretën e popullatës dhe gjysmën e votuesve në vendin tonë, një presion i tyre mund të ndryshonte realitetin e vështirë ekonomik me të cilin përballen përditë.

 

Në Shqipëri janë 721 mijë njerëz që trajtohen me pension dhe mesatarisht 20 mijë pensionistë i shtohen çdo vit numrit të përfituesve të pensionit. Nëse në vitin 2020 kanë qenë 673 mijë persona që trajtoheshin me pension, sot janë 48 mijë më shumë, ndërsa kontribuesit e tregut të punës janë shtuar me 100 mijë në harkun kohor të 5 viteve të fundit. Pavarësisht kësaj, hendeku i skemës së pensioneve është negativ. 

 

Problemi me pensionet, rritjen e tyre dhe skemën që mundëson dhënien e pensionit është shumë dimensional dhe kërkon reforma të mirëfillta strukturore, por përpos të gjithave, mund të themi me siguri se pensionistët në Shqipëri dhe pse dominojnë popullsinë dhe kanë numrin më të madh të votave, janë më të braktisurit nga politika. 

 

Vëmendja ndaj tyre duket ndryshoi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, ku forcat e reja politike nisën të shfrytëzojnë këtë kategori si një mundësi për të marrë mbështetje dhe vota. Kjo me sa duket detyroi dhe kryeministrin Edi Rama që të premtojë rritjen e pesioneve dhe ndryshim të skemës në të ardhmen. 

 

Për vitin 2026, kryeministri njoftoi nisjen e zbatimit të premtimit për të rritur pensionet dhe për të arritur në objektivin 400 euro për pensionin mesatar urban, 180 euro pensioni rural dhe 300 euro pensioni i invaliditetit. 

 

Por sa do të jetë rritja sipas kategorive për vitin e ardhshëm?

 

Një pension mesatar urban me vite të plota pune sot është 20 mijë lekë të rinj, nga janari do të jetë 21800 lekë të rinj, raporton emisioni “Kronos” në MCN TV. Pensioni urban do të rritet me 1800 lekë, pensioni urban i pjesëshëm rritet me 800 lekë, pensioni rural rritet me 1000 lekë, pensioni familjar me 700 lekë dhe ai i invaliditetit me 600 lekë. 

 

Rritja mesatare e pensioneve është me normën 8%, më e lartë se niveli i mesatar i inflacionit të këtij viti. Por a e akomodon kjo rritje, inflacionin e lartë të 12 viteve të fundit kur nuk ka patur politika reale të shtimit të pensioneve?

 

Qeveria parashikon që rritja e pensioneve në vitin 2027 të dyfishojë atë të vitit 2026, rritja e vitit 2028 do të trefishojë atë të vitit 2027, për të arritur më pas objektivin e premtuar për një pension mesatar 400 euro në muaj dhe atë minimal 200 euro për vitin 2029-n.

 

Por sa i kushton buxhetit të shtetit politika e re për rritjen e pensioneve gjatë vitit të ardhshëm?

 

Në total rritja e pensioneve parashikohet t’i rëndojë 100 milion euro buxhetit të shtetit, ndërsa 16.5 milion euro të tjera do të përdoren për detyrimin ligjor vjetor të kompensimit të nivelit të inflacionit. 

 

Buxheti do të shpenzojë gjithsej 116.5 milionë euro për rritjen e pensioneve. 

 

Por si ndahet buxheti në raport me kategoritë e tjera që marrin mbështetje të qeverisë?

 

Për të zbërthyer këtë do të duhet që fillimisht të analizojmë të ardhurat që do të hyjnë përmes taksave, tarifave dhe ndihmave të huaja. 

 

Qeveria planifikon që të marrë 170 milion euro më shumë nga fondi i sigurimeve shoqërore. Praktikisht për politikën e rritjes së pensioneve do të përdoret më pak se kjo shtesë.

 

158 milion euro do të shtohen në buxhet si efekt i rritjes së konsumit dhe rritjes ekonomike. Dhe kjo shumë është më e lartë se politika për rritjen e pensioneve.

 

Të ardhura tatimore nga tatimet e doganat do të ketë për vitin 2026 315 milion euro më shumë se në 2025-n. Vetëm një e treta e kësaj rritje do të shkojë për politikën e rritjes së pensioneve!

 

Por sa parashikohet të marrin nga buxheti kontratat koncesionare? Janë 120 milion euro që do të shkojnë për kontratat aktive të koncesioneve, dhe pse nuk janë llogaritur risqet e disa prej tyre që mendohet të hyjnë në operim vitin e ardhshëm. Për koncesionet do të shkojnë 3.5 milion euro më shumë se për pensionistët.

 

100 milion euro do të përdoren për rritjen e pagave të administratës publike, rritje që pason një fond të ngjashëm që u buxhetua në buxhetin e këtij viti.

 

1.8 miliard euro janë për investime publike. Kjo është vlera më e lartë historike që buxheti jep në raport me prodhimin e brendshëm bruto për shpenzime kapitale. Rritja krahasuar më një vit më parë është 150 milion euro më shumë. 

 

Për përjashtimet tatimore, kryesisht për bizneset që investojnë në turizëm, por dhe ato të përjashtuara nga tvsh, buxhetit do t’i mungojnë afërsisht 650 milion euro. Kjo shumë është disa herë më e lartë se politika për mbështetjen e pensioneve.

 

Përdorimi me efiçencë i fondeve publike dhe ulja e korrupsionit do të ishte një zgjidhje për rritjen e pensioneve por dhe për ndaljen e valës së emigrimit, sidomos nëse do të shihet dhe përdorimi i një politike në taksa më të barabartë në rishpërndarje. 

 

Sot në Shqipëri ka norma tatimore 0 sa u takon përfituesve të burimeve kryesore natyrore në një kohë që nuk dihet kontributi që kanë dhënë në ekonomi dhe në përmirësimin e nivelit të jetesës për popullatën e gjerë. Rasti më tipik është sektori i ndërtimit dhe i poseduesve të pasurive të patundshme, të cilët jo vetëm paguajnë një barrë fiskale të ulët, por po ashtu kanë mundësinë e rivlerësimit të pasurive njëherë në disa vjet, duke paguar taksa të ulëta.

 

Fitimet e bizneseve në tregje ekskluzive të cilat kanë pozita monopoli, fitimet nga koncesionet ose rasti i dhurimit të tokave publike për investimet strategjike që kanë barrë të ulët fiskale janë një mënyrë që mund të shtojë të ardhurat në buxhet, ku një pjesë mund të përdoret për rritjen e pensioneve. 

 

Qeveria ka lajmëruar se për të mundësuar rritjen e pensioneve nuk do të bëjë politika të reja tatimore, por do të nisë një aksion antinformalitet në tregun e punës për të kontrolluar çdo biznes që nuk deklaron punonjësit dhe vlerën reale të pagave.

 

Por më shumë se problemet që janë në informalitetin në tregun e punës, duket se problemi kryesor lidhet me largimin e të rinjve dhe faktorë të tjerë jashtë politikave të administrimit fiskal që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen e vendit. 

 

Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, madje më shumë se çdo vend tjetër i Europës. Të rinjtë që janë dhe pjesa kryesore e fuqisë punëtore dhe tregut të punës po largohen, çiftet e reja po lindin më pak dhe të vjetrit janë bërë shtresa më e madhe e piramidës së popullsisë. 

 

Në dekadën 2001-2011 kanë emigruar jashtë 481 mijë shqiptarë dhe mes viteve 1989-2001, 371 mijë. Përgjatë periudhës 2011-2023 rezultojnë 488 mijë emigrantë të përhershëm, pa llogaritur ata sezonalë. 

Ritmi i rënies së popullsisë për shkak të emigrimit, vijon të mbetet i lartë me mesatarisht 40 mijë banorë që largohen në vit, duke shënuar rekord në dekadën e fundit. Mesatarisht 1.5% e popullsisë në vit largohet nga vendi, shifër e cila tregon se emigrimi zë përmasat e një eksodi. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy