
Dy gazetarë kanë mbetur të vrarë gjatë një aksidenti natyror, ndërsa ata raportonin për gjendjen e motit në Karolinën Veriore, gjatë stuhisë Alberto.
Mike McCormik dhe Aaron Smeltzer, nga portali WYFF, humbën jetën pasi një pemë ra mbi makinën e tyre, ndërsa ata udhëtonin në autostradë.
Ata u gjetën nga një zyrtar të cilin e kishin intervistuar vetëm 10 minuta përpara incidentit. Teksa vdekja e dy gazetarëve nuk lidhet direkt me vetë stuhinë Alberto, reshjet e dendura të shirave kishin përmbytur tokën, ndoshta duke kontribuar në rënien e pemës.
McCormick ishte gazetar, ndërsa Smeltzer ishte një fotoreporter. Të dy ishin në krye të detyrës dhe po raportonin për motin ekstrem.
Stuhia Alberto, e para stuhi e emërtuar e Atlantikut për këtë vit, zbarkoi të hënën në bregun veriperëndimor të Floridës.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, tashmë Alberto është qetësuar në një ciklon subtropikal, me erëra maksimale që arrijnë 55 km/h dhe me reshje të vazhdueshme shirash.
Vitin e kaluar, një sërë uraganësh vdekjeprurës goditën Shtetet e Bashkuara dhe ishujt e Karaibeve, duke shkaktuar humbje të shumta në jetë njerëzore dhe dëme katastrofike në materiale.



