Dy senatorët amerikanë, demokrati Chris Van Hollen dhe republikania Lindsey Graham kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë për mbështetjen që kjo e fundit po u bën veprimeve ushtarake dhe disa grupimeve në Sirinë veriore. Dy senatorët në fjalë prezantuan “Aktin kundër agresionit turk të vitit 2024” me shpresën se ky i fundit do t’i shtynte palët drejt një armëpushimi.

Dy senatorët po ashtu sugjerojnë nisjen e punës në mënyrë diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë për çmilitarizimin e zonës mes Turqisë dhe Sirisë.
“Këto sanksione synojnë të parandalojnë sulme të mëtejshme të mbështetura nga Turqia ndaj Forcave Demokratike Siriane (SDF), të cilat rrezikojnë rishfaqjen e ISIS, duke kërcënuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesës tjetër të globit”, tha senatori demokrat Chris Van Hollen.
Deklarata e senatorëve amerikanë vjen pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad çka ka çuar në përshkallëzimin e armiqësive në Sirinë veriore. Megjithatë kësaj nisme Turqia i është përgjigjur duke thënë se do të bëjë çfarëdo të jetë e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj nëse administrata e re siriane nuk mund t’i adresojë shqetësimet e Ankarasë për grupet kurde aleate të Shteteve të Bashkuara që i konsideron si grupe terroriste.



