GJKKO pritet të vendosë sot në seancën paraprake nëse do të kalojë për gjykim ose jo dosja për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Në një raportim për Mcn Live gazetari Arsen Rusta bën me dije se procedurialisht mund të ketë një shtyrje të procesit, ndonëse SPAK thotë se hetimet janë të plota.
“Pritet që sot SPAK të vijojë kërkesën për të çelur gjykimin e çështjes. Palët kanë pretendimet e pavlefshmërisë të cilat do të vlerësohen nga gjykata. Ajo çka kuptohet deri në këto momente është se procedurialisht mund të ketë një shtyrje, gjithsesi Prokuroria thotë se hetimet janë të plota, dhe provat e gjetura duhet të përballen me të dyshuarit dhe të pandehurit, mes të cilëve edhe kryebashkiakun Veliaj.
Për SPAK deri në këtë fazë hetimet konsiderohen të vlefshme për të hapur gjykimin. Nga ana tjetër pritet që kryebashkiaku të paraqesë një kërkesë për revokimin e masës së sigurisë. Në fazën ku ndodhet shqyrtimi, kërkesa për gjykim e SPAK bazohet në 13 episode, ku ata e dyshojnë z.Veliaj nga korrupsioni aktiv e pasiv, në shpërdorim detyre, deri te dyshimet për pastrim parash, jo vetëm ndaj tij, bashkëshortes, por edhe një rrjeti zyrtarësh e biznesmenësh të përfshirë në këtë skemë”.



