Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një vizitë zyrtare në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.
Takimi u fokusua në disa çështje kryesore, ndër të cilat çelja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rëndësia gjeostrategjike e angazhimit të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Pas takimit, të dy Ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fjalën e mbajtur, Cakaj, fillimisht falënderoi homologun kroat për mbështetjen e pakursyer dhënë për Shqipërinë, që prej orëve të para pas tërmetit të 26 nëntorit dhe kontributit në konferencën ndërkombëtare të donatoreve.
Gjithashtu, ai nënvizoi punën e jashtëzakonshme të Presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Europian, për të mundësuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Është krejtësisht e qartë se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky nuk është as qëndrim personal as opinion politik, por realitet objektiv i dokumentuar tashmë edhe nga Komisioni Europian,”-cilësoi Kreu i diplomacisë shqiptare.
Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Cakaj theksoi se, palët vlerësuan edhe njëherë rëndësinë madhore të Deklaratës së Partneritetit Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe shprehën angazhimin për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, lëvizjet shoqërore e kulturore dhe zhvillimin e brezit të Adriatikut.

Presidenti i Republikës Ilir Meta poashtu priti sot në një takim Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.
Presidenti Meta e falenderoi për ndihmën kroate pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke e uruar Kroacinë në kryesimin e Këshillit të BE-së, Presidenti Meta theksoi se 9 kushtet e Bundestagut janë tregues i krizës ku ndodhet sot Shqipëria, dhe udhërrëfyes për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
“Mesazhi i përforcuar i Bundestagut vetëm pak ditë më parë ishte: Një vend kandidat duhet medoemos të ketë një sistem funksional të kontrollit dhe balancës dhe zbatimi i prioriteteve duhet të bëhet në përputhje të plotë me çdo parashikim kushtetues.”, u shpreh gjatë takimit Presidenti Meta.



