Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë sjellë problematika në qarkun e Shkodrës.
Në Bashkinë Shkodër është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në zonën e quajtur “Shkallë Logje”, ku qarkullimi është bllokuar dhe është vendosur sinjalistikë për sigurinë e qytetarëve.
Në Malësinë e Madhe reshjet kanë pushuar, ndërsa në aksin Tamarë–Vermosh po kryhet kriposja për shkak të ngricave.
Në Bashkinë Vau i Dejës janë raportuar shkëputje të përkohshme të energjisë elektrike në disa njësi, me grupet e punës në terren.
Ndërkohë, në Fushë-Arrëz vijojnë reshje me intensitet të lartë dhe ka rënie gurësh e dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme.
Në Bashkinë Pukë raportohet shi dhe erë e fortë, pa problematika.
Sipas DRUK Lezhë, nivelet e lumenjve dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje dhe hidrovoret në Velipojë janë në funksion të plotë.



