Partia Demokratike duket se do të shfrytëzojë të gjithë kohën që ka në dispozicion për përgatitjen e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në orën 00:00 të së martës ka skaduar edhe afati që kreu i PDsë, Basha, u kishte lënë 12 drejtuesve të grupeve të punës në lidhje me marrjen e propozimeve nga çdo qark i vendit, në mënyrë që në dy ditët e mbetura të përcaktohen edhe listat përfundimtare të opozitës.
Siç raporton “Panorama”, Basha ka kërkuar që me secilin prej 12 drejtuesve të zhvillojë takime të veçanta për të marrë propozimet dhe opinionet që baza e PD-së ka për kandidatët për deputetë. Mësohet se drejtuesit e grupeve të punës do t’i paraqesin Bashës një numër i lartë kandidaturash nga çdo rreth dhe do të jetë ai dhe grupi i punës që do të përcaktojnë edhe listat përfundimtare.
Burime pranë selisë blu bëjnë me dije se PD-ja do t’i dorëzojë listat e saj për deputetë ditën e premte në datën 26 maj, kur është edhe afati përfundimtar për dorëzimin e listave. Ndonëse askush në PD nuk është i sigurt nëse do të jetë pjesë e listave për deputetë, një pjesë e emrave mund të konsiderohen se pa u shpallur listat do të jenë në vende fituese. Surprizë pritet të jetë edhe vendimi që vetë Basha do të marrë për listën që ai do të udhëheqë. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se vetë Basha dhe ishkryeministri Berisha mund të mos jenë në qarkun e Tiranës duke udhëhequr lista të deputetëve në dy qarqe të tjera të mëdha. Sa u takon listave, dihet se pas marrëveshjes së arritur me aleatët opozitarë, Basha ka garantuar se të paktën katër prej tyre do të jenë pjesë e listave fituese. Burimet sqarojnë se bëhet fjalë për kreun e PR-së, Fatmir Mediu, kreun e PDK-së, Nard Ndoka, kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreun e PAA-së, Agron Duka. Ky i fundit ka shprehur dëshirën edhe për të dalë i vetëm në zgjedhje, ndaj edhe nuk është marrë një vendim përfundimtar. Në listat fituese pritet të jenë edhe 12 drejtuesit e grupeve të punës për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë në qarqe.



